“Atmosferë e zjarrtë për kampionët e Ekipeve Sportive në ndeshjet finale të basketbollit të Kampionatit Kombëtar për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.”

Kështu e përshkruan kryeministri Edi Rama atmosferën e ndeshjesve finale të kampionateve të ekipeve sportive të shkollave 9-vjeçare e të mesme, të cilat njohën sot edhe fituesit.

“Çfarë kënaqësie Rilindja e Sportit në Shkolla. Zemra mal”, shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Thuajse 12 mijë nxënës të organizuar në skuadra që stërviten rregullisht, i dhanë jetë një kampionati fantastik që në basketboll (femra/meshkuj) u mbyll me fitoren e Kamzës për vajzat dhe Shkodrës për djemtë e shkollave 9-vjeçare, dhe fitues për shkollat e mesme u shpall Saranda për djem dhe për vajza.

“Urime dhe një bravo të madhe të gjithë pjesëmarrësve”, shkruan Rama.

Ekipi i basketbollit të vajzave të shkollës “Hillary Clinton” Kamzë dhe djemtë e ekipit të basketbollit të shkollës “Ali Laçej” Shkodër fituan Kampionatin e Ekipeve Sportive për Shkollat 9-vjeçare.

Gjimnazi “Hasan Tahsini” i Sarandës shpallet kampion i dyfishtë në basketboll për djem dhe vajza i Kampionatit të Ekipeve Sportive për Shkollat e Mesme.

Afro 12 mijë nxënës, të organizuar në 760 ekipe janë përfshirë në këtë lëvizje sportive gjithëpërfshirëse, duke rikthyer frymën sportive në shkolla./ata