Kryeministri Edi Rama priti në ambientet e kryeministrisë një grup sipërmarrësish nga Britania e Madhe.
Rama ndau sot në rrjete sociale momente nga ky takim, ku shihet një pjesëmarrje e madhe e të rinjve britanikë që bashkëbisedojnë me kryeministrin.
“Në kryeministri me 80 sipërmarrës të rinj nga Britania e Madhe”, shkroi Rama.
Ky takim vjen pas vizitës zyrtare që zhvilloi në vendin tonë Lordi David Cameron, Sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, ku u fol për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë”.
Cameron në deklaratën e përbashkët me kryeministrin Rama theksoi se Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO.
Sot Shqipëria është kthyer në një vend tërheqës për investimet e huaja.
Përmirësimi në vijimësi i klimës për të bërë biznes dhe treguesit e ekonomisë në një fazë shumë pozitive, paralelisht me strategjitë zhvillimore të qeverisë, në çdo drejtim të ekonomisë, janë një inkurajim për nxitjen e sipërmarrjeve të huaja në zbatimin e investimeve të reja në vendin tonë.
Sot Shqipëria ka arritur shifrën rekord të 1.5 miliardë eurove investime të huaja./ata