Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën 181,7 miliardë lekë kredi në gjysmën e parë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me janar-qershorin e një viti më parë, huaja e re është zgjeruar me 41,2 miliardë lekë ose 30,2%.

Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike, deklaroi: “Arsyeja kryesore, siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë, lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 6-mujorin janar-qershor, vetëm për blerje apartamentesh u morën nga bankat plot 53,2 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 29% e huasë së re të dhënë në gjysmën e parë të vitit.

“E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”, u shpreh Blliku.

Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën gati 129 miliardë lekë kredi në 6 muaj: “Ritmet e kredisë së re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit, është shumë optimist”.

Duke ndjekur trajektore të ngjashme në thuajse të gjashtë muajt edhe në qershor me 31,2 miliardë lekë kredi e re e dhënë. Në krahasim me qershorin e një viti më parë huaja e re e dhënë muajin e shkuar u zgjerua me mbi 1,8 miliardë lekë apo 6,1%./Tema