Rey Manaj mbyll aventurën në klubin turk të Sivassporit. Fill pas ndeshjes së fundit të sezonit, asaj ndaj Kayserispor ku luajti sërish si titullar, sulmuesi shqiptar dërgoi një mesazh për klubin dhe tifozët në rrjetet sociale, duke bërë të qartë lamtumirën e tij.
“Ju dua Sivas. Do të mbeteni gjithmonë në zemrën time. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Manaj në rrjetet sociale, duke lënë pak vend për hamendësime, pasi është një mesazh i qartë lamtumire, pas vetëm një sezoni me fanellën e Sivasspor.
Rey Manaj iu bashkua klubit të Superligës turke në gushtin e vitit të kaluar dhe u përshtat shumë shpejt, duke u shndërruar në një pikë referimi për skuadrën.
Sulmuesi 27-vjeçar luajti 33 ndeshje në kampionat, ku shënoi 18 gola dhe asistoi në tre të tjerë. Manaj luajti edhe 3 ndeshje në Kupë, ku gjeti katër herë rrugën e rrjetës, për të shënuar një total prej 22 golash me Sivassporin gjatë sezonit 2023-2024.
E ardhmja e Rey Manajt me shumë gjasa do të jetë në Serinë A, aty ku janë të shumtë klubet e interesuara për shërbimet e tij. Në janar Manaj ishte shumë pranë transferimit te Salernitana, por gjithçka dështoi në momentet e fundit, megjithatë 27-vjeçari pritet të rikthehet në Itali gjatë verës.
E në prite për të mësuar të ardhmen, Manaj është “sy e veshë” nga Tirana, aty ku pret të mësojë listën e 26 futbollistëve që Sylvinho do të marrë me vete në Gjermani për të përfaqësuar Shqipërinë në Europian.
Sulmuesi nuk mori pjesë në edicionin eliminator, por pati një shans në miqësoret e marsit dhe forma e mirë që ka kaluar këtë sezon, e bën të shpresojë për nëj biletë për në Gjermani./Tema