Festa e kulturës dhe arsimit bullgar, mblodhi bashkë në një aktivitet të veçantë në Durrës, përfaqësues të institucioneve, mësues, prindër e nxënës, dhe pjesëtarë të pakicës bullgare në Durrës.

Në këtë aktivitet morën pjesë dhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako së bashku me ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Ivaylo Kirov dhe kryetarin e shoqatës “Bullgarët e Shqipërisë”, Ahmet Bala.

Sako ndau në rrjete sociale momente nga ky takim, teksa njoftoi se, “Shoqata “Bullgarët e Shqipërisë” me mbështetjen e Ambasadës bullgare në Tiranë, organizon kurse të gjuhës bullgare në disa qytete të Shqipërisë”.

“Tashmë ky kurs do të zhvillohet edhe për pjesëtarët e pakicës bullgare në qytetin tonë, në ambientet e “Shkollës së Re” në zonën e Durrësit të Ri”, tha ajo.

Sako u shpreh në mbështetje të plotë për pakicën bullgare, ashtu si dhe për pakicat e tjera.

“Ne japim mbështetjen tonë të plotë për pakicën bullgare, ashtu si dhe për pakicat e tjera. Të gjitha minoritetet në Durrës janë të integruara plotësisht në jetën e qytetit dhe gëzojnë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë”, deklaroi Sako./ata