Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e saj për arritjet dhe planet e ardhshme në sportin e futbollit.
“Në këtë vit të mbushur me aktivitete sportive, kualifikimi i Kombëtares Shqiptare në Europianin e Futbollit 2024 është padyshim një arritje e jashtëzakonshme. Ajo që unë ju garantoj është mbështetja për Kombëtaren që këtë vit do të jetë një mbështetje e dedikuar për Europianin, por edhe për futbollin në tërësi. Uroj shumë suksese dhe rezultate sa më pozitive që na bëjnë krenarë të gjithëve”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Në fjalën e saj, ministrja ndaloi te mbështetja që qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë dhënë për sportin në tërësi dhe për futbollin në veçanti.
Manastirliu përmendi disa nga projektet dhe programet e realizuara gjatë vitit të fundit dhe ato që priten të intensifikohen në vijim, në kuadër të zhvillimit të futbollit në Shqipëri, sidomos për moshat e reja, ku një nga projektet më ambicioze të qeverisë shqiptare është hapja e akademisë së futbollit në Durrës, e cila do të jetë dhe një stacion i klubit të futbollit të Manchester City. Kjo akademi do të hapet këtë vit dhe pritet të sjellë një risi të madhe në zhvillimin e futbollit për të rinjtë.
“Investimet në infrastrukturën sportive janë të rëndësishme dhe ne po i shumëfishojmë me projekte të reja. Me marrëveshjen që kemi lidhur me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, do të ndërtojmë tre stadiume të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë, puna për të cilat pritet të fillojnë së shpejti”, shtoi Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit u ndal dhe te mbështetja e vazhdueshme të qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në aktivitete sportive përmes projektit Ekipet Sportive në Shkolla dhe projektit “Futbolli për kombin”.
“Më shumë se 12 mijë fëmijë janë përfshirë në projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” ndërsa “Futbolli në shkolla” parashikon përfshirjen e më shumë se 23 mijë fëmijëve në futboll dhe objektivi ynë i përbashkët është që të përfshijmë sa më shumë fëmijë në sport”, tha ministrja Manastirliu.
Në fund presidenti i FSHF-së Armando Duka i dhuroi ministres Manastirliu bluzën e ekipit kombëtar të futbollit që do të na përfaqësojë në “Euro 2024”./ata