Spanja tha se sulmi ajror izraelit mbi një kamp të personave të zhvendosur në Rafah është "i papranueshëm".
“Sulmet izraelite në një kamp refugjatësh në Rafah, ku janë shkaktuar dhjetëra viktima palestineze, duke përfshirë fëmijë, janë të papranueshme”, u shpreh në X ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
"Ne kërkojmë një armëpushim të menjëhershëm dhe respektim të ligjshmërisë ndërkombëtare nga të gjitha palët", tha Albares, duke bërë thirrje për të shmangur "më shumë vdekje dhe vuajtje".
Sipas të dhënave të fundit, të paktën 45 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi Izraeli dje shënjestroi një kamp për personat e zhvendosur dhe shtëpitë në Rafah, thanë burime mjekësore.
Sulmi ndodhi pranë bazës logjistike të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Tal al-Sultan, njoftoi Zyra e Medias në Gaza.
Izraeli ka vrarë më shumë se 36 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.
Fushata ushtarake e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës me 2.3 milionë njerëz në gërmadha, duke lënë shumicën e civilëve të pastrehë dhe në rrezik nga uria.
Sulmet izraelite vazhdojnë pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që urdhëroi Izraelin të ndalonte ofensivën e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa