Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka financuar drejtpërdrejt rreth 16 milionë euro për Universitetin Bujqësor të Tiranës, një program strategjik që synonte transformimin e këtij universiteti në një qendër ekselence.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së performancës me Universitetin BOKU të Vjenës, Kryeministri vlerësoi se me këtë hap nis procesi i modernizimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Duke sjellë në vëmendje shifrat e financimit të Universitetit Bujqësor nga qeveria, Rama u shpreh se “janë akorduar 7 milionë euro për fermën, 3 milionë euro për rindërtimin nga tërmeti, 2 milionë euro për godinën e klinikës, fillimisht 500 mijë euro për ndërkombëtarizimin dhe pastaj 2 milionë euro për programin e përbashkët me BOKU-n, si dhe 1 milion euro për PKZH-në”.
“Pra janë rreth 16 milionë euro të dhëna drejtpërdrejtë për Universitetin Bujqësor pa llogaritur konviktet e rindërtuara se po të futen edhe ato shkon shumë. Që do të thotë se ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat. Nuk ka si të jetë. Ky është një program strategjik i qeverisë për ta transformuar këtë universitet në një qendër ekselence me një rrezatim shumë të fortë në ekonominë, bujqësinë, zhvillimin rural të vendit dhe me një influencë rajonale”, tha Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për drejtuesit e Universitetit BOKU të Vjenës, ndërsa u shpreh se “ky bashkëpunim krijon një model të ri për universitete për transferimin e dijeve dhe teknologjisë”./ata