Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Brendshme kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive ku organizohen dhe zhvillohen ndeshjet e futbollit.
Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u nënshkrua ky memorandum ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përfaqësues të FSHF-së dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme.
Memorandumi i bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme përfshin disa pika kryesore që janë:
- Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar ligjet në fuqi për parandalimin e dhunës në ambientet sportive.
- Forcimi i bashkëpunimit mes palëve për reduktimin e dhunës në futboll, duke promovuar kështu një mjedis të sigurt për të gjitha aktorët e përfshirë.
- Hartimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër dhunës dhe zbatimi i tyre, marrja e masave parandaluese, iniciativave edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe masa ndëshkimore të rrepta për shkelësit.
- Hartimi, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, dhe zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse kundër paracaktimit të rezultateve në ndeshjet e futbollit. Këtu përfshihen masa parandaluese, iniciativa edukuese dhe masa ndëshkimore të rrepta sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
- Krijimi i kanaleve për shkëmbimin e informacionit në kohë, për të parandaluar dhunën në futboll dhe për trajtimin dhe ndjekjen e rasteve të paracaktimit të rezultateve të ndeshjeve.
- Takime të përbashkëta çdo dy muaj, ose edhe më shumë nëse është e nevojshme, për të diskutuar masat e ndërmarra, incidentet dhe problematikat e hasura. Në këto takime mund të jenë edhe palë të tjera.
- Angazhimi i FSHF dhe Ministrisë së Brendshme për të zbatuar detyrimet. Detyrimet e FSHF dhe anëtareve të saj lidhen me njoftimin e kalendarit të ndeshjeve, marrjen e masave organizative, zbatimin e ligjit për “Masat shtesë të sigurisë publike”, që përkon me vendosjen e kamerave, kontraktimin e Shoqërive Private të Sigurimit Fizik dhe hartimin e skemës së ruajtjes së objektit.
- Detyrimet e Ministrisë së Brendshme lidhen me procedimin penal të shkelësve të ligjit, ndalimin e tyre për t’u futur në stadiume dhe mjedise sportive, ndërkohë që Policia e Shtetit merr masat që personat e dënuar të paraqiten në komisariatet e policisë ditën e ndeshjes.
- FSHF dhe Ministria e Brendshme angazhohen në fushatat e ndërgjegjësimit e publikut për pasojat e sjelljes së dhunshme. Përmes këtyre fushatave synohet të promovohet kultura pozitive e tifozëve në veprimtaritë sportive, duke vëne thkesin te gjithëpërfshirja dhe kënaqësia e futbollit si një përvojë e përbashkët.
Menjëherë pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se kjo marrëveshje shërben për të ofruar një ambient sa më të mirë dhe të sigurt në çdo stadium dhe event sportiv./Shqiptarja