“The Door” është një orkestër e përbërë nga 20 muzikantë të jashtëzakonshëm nga Shkodra, të cilët kanë performuar në festivale në Shqipëri dhe Evropë.
Rrugëtimi i tyre ka qenë i gjatë dhe sfidues, por historia e tyre tregon se si muzika transformon jetën e artistëve me nevoja të veçanta.
Ata ishin pjesë të hapjes së Javës së Evropës në Shkodër.
“The Door”, si e gjallëron muzika jetën e njerëzve me nevoja të veçanta
Një mbrëmje vere në Lillehammer, Norvegji, një grua me një fustan të kuq po shijonte muzikën, kur një burrë e ftoi të kërcenin.
“Ishte mbrëmja pas koncertit që patëm atje. Dukej si një përrallë: dritat, muzika, buzëqeshjet, emocionet dhe lumturia në sytë e tyre. Ata kërcenin në pistë dhe ne i vështronim. Nuk do ta harroj kurrë atë imazh; ishte një nga çastet më të mira të punës sime. Pikërisht atë çast e kuptova se gjithçka që kishim bërë ia vlente”.
Për Kastriot Facin ky është kujtimi më i çmuar gjatë gjithë viteve që punon me “The Door”, një grup muzikantësh me nevoja të veçanta në Shkodër.
Gruaja që kërcente ishte Silva Pjetrushi, një person me sindromën Down dhe një nga muzikantet e grupit. Ishte vallëzimi i saj i parë.
“Të gjithë muzikantët në grup kanë nevoja të veçanta. Ata nuk flasin shumë, por nuk është e vështirë të lexosh në sytë e tyre gëzimin që ndiejnë nga muzika apo aktivitetet shoqërore”, thotë Faci, drejtuesi organizativ i grupit, i cili ka një kujtesë të qartë të gati 20 viteve më parë, kur njerëzit me nevoja të veçanta nuk kishin fare mundësi.
“Sot flasim për pengesa të thyera, por dikur situata ishte shumë më e rëndë. Stigma ishte e dukshme, ashtu si edhe paragjykimi. Qëndrimi i komunitetit nuk ishte kaq pozitiv apo i hapur sa sot. Duke qenë se përballeshin me dhunë verbale, shpesh mbeteshin të izoluar, ndaj kishin edhe vështirësi në të folur apo në komunikim. Pas mbarimit të shkollës, ata thjesht “kyçeshin” në banesat e tyre, pasi nuk kishin ku të shkonin. Sot, rreth 20 muzikantë të moshave të ndryshme kanë një jetë të re. Ata janë pjesë e një komuniteti, pjesë e një grupi muzikor. Ata udhëtojnë, luajnë muzikë në koncerte dhe takojnë njerëz”, thotë Faci.
Si nisi gjithçka
Grupi u themelua rreth 20 vjet më parë, sipas shembullit norvegjez dhe me kontributin e tyre. Në vitin 2005, Faci i kërkoi Bepin Vjerdhës, artist dhe mësues muzike, ta ndihmonte në këtë nismë. Ata shkuan në shkollën speciale “3 Dhjetori” në Shkodër dhe pasi panë se si të rinjtë ndiqnin ritmin, energjinë, buzët dhe dhëmbët e tyre, zgjodhën disa nga ata që tregonin forcë fizike dhe talent për t’u bërë pjesë e bandës së veglave frymore.
“Arti dhe muzika janë të vështira për çdo artist. Na duheshin shumë prova, shumë punë, orë të gjata dhe shumë durim. Për të qenë pjesë e një bande frymore, tre elementë janë të rëndësishëm: forca trupore, buzët dhe ritmi. I mësova të ndiqnin ritmin dhe si ta mbanin instrumentin, por nuk ishte gjithmonë e lehtë. Kishte një moment që doja të largohesha, por Faci më bindi të mos e bëja. Tani jam krenar për atë që kemi bërë. Së bashku mësuam të luajmë muzikë dhe të ecim përpara”, shpjegon drejtori muzikor i grupit, Bepin Vjerdha.
Banda frymore ka qenë pjesë e disa koncerteve dhe festivaleve në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, që nga Kosova e Mali i Zi deri në Norvegji. Zakonisht bëjnë prova dy herë në javë, por para koncerteve punojnë më shumë. Repertori i tyre përfshin muzikë klasike dhe popullore, që nga Beethoven deri tek arti vendas, por të gjitha partiturat muzikore rishikohen ose orkestrohen nga Vjerdha. Një pjesë e re muzikore ka nevojë për gati një muaj prova, por në fund, grupi “The Door” mund t’i luajë të gjitha notat.
Ndërsa Java e Evropës këtë vit kremtoi gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut, muzikantët me nevoja të veçanta hapën programin në Shkodër. Muzika e tyre vjen me frymën e tyre. Me çdo frymëmarrje në skenë, ata tregojnë se sa mund t’i japin shoqërisë.
“Dikur të izoluar dhe krejt vetëm, tani ata e kanë pranuar talentin e tyre dhe e kanë zhvilluar atë. Ata kanë nevoja të veçanta të ndryshme, por të gjithë, pavarësisht moshës, mendojnë si fëmijët”, thotë Faci, duke kujtuar të gjitha përrallat e vogla që mund të përjetojmë me pak përpjekje për t’u dhënë të gjithëve të njëjtat mundësi, sepse “The Door” ishte fillimisht vetëm një ëndërr apo një derë për të ardhmen./ata