Ministria e Arsimit dhe Sportit organizon për herë të parë në Shqipëri Ministerialin “EHEA Ministerial Conference Forum and Global Policy”, i cili do të mbahet në Pallatin e Kongreseve datat 29-30 maj 2024.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mirëpriti mbrëmjen e sotme përfaqësuesit më të lartë të arsimit të Europës si dhe nga vende të tjera të botës, që do të marrin pjesë në këtë aktivitet.
“Ndihem e nderuar të mirëpres në Tiranë, përfaqësuesit më të lartë të arsimit të Europës si dhe nga vende të tjera të botës, në vigjilje të Konferencës Ministeriale të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, një ngjarje e rëndësishme që zhvillohet për herë të parë në rajon”, shkruan Manastirliu.
Kjo ngjarje e rëndësishme mbledh përfaqësues të lartë të arsimit nga Zona Evropiane e Arsimit të Lartë (ZEAL) dhe vende të tjera nga e gjithë bota.
Zona Evropiane e Arsimit të Lartë përfshin 49 vende anëtare me të drejtë vote dhe 9 anëtarë konsultativ, duke përfshirë partnerë në Europë dhe në vendet e tjera të botës.
BFUG (Bologna Follow-Up Group) është organi ekzekutiv përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e angazhimeve të marra nga vendet anëtare në kuadër të Deklaratës së Bolonjës dhe dokumenteve të tjera të lidhura me Procesin e Bolonjës/ZEAL.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes këtij ministeriali, synon riafirmimin e vlerave themelore të arsimit, duke përfshirë lirinë akademike, autonominë institucionale dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, konferenca do të ketë një agjendë intensive, duke diskutuar rreth çështjeve të inovacionit, cilësisë dhe dimensionit social në arsimin e lartë përmes katër paneleve kryesore dhe sesioneve paralele me tema të ndryshme që në fokus kanë zbatimin e angazhimeve të Procesit të Bolonjës, inkurajimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, dhe sigurimi i cilësisë së arsimit të lartë.
Forumi do të sjellë kontribute të vlefshme për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe më gjerë.
EHEA Ministerial Conference Forum and Global Policy në dy ditët e zhvillimit të tij, në një axhendë intensive do të diskutojë rreth çështjeve të inovacionit, cilësisë, dimensionit social në arsimit të lartë në katërpanele kryesore dhe sesione paralele me tema diskutimi të ndryshme.
Ditën e parë më 29 maj temat e diskutimit janë:
1- Praktikat e mira dhe sfidat për zbatimin e angazhimeve kryesore të Procesit të Bolonjës;
2- Inkurajimi i bashkëpunimeve dhe mjeteve ndërkombëtare për të nxitur lëvizshmërinë në EHEA;
3- Aftësitë dixhitale dhe të gjelbra për fuqinë punëtore evropiane: roli i Shqipërisë në përgatitjen për profesionet e ardhshme/të reja, duke përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në Kërkim dhe Arsim;
4- Praktikat e mira dhe sfidat për zbatimin e parimeve të dimensionit social të arsimit të lartë në EHEA;
Ndërsa në ditën e dytë, datën 30 Maj do të zhvillohet Forumi Global Politik, ku fokusi i diskutimeve do të jenë;
1-Procesi i Berlinit si një nga shembujt e praktikave të mira të bashkëpunimit rajonal në zbatimin e Procesit të Bolonjës
2-Mundësitë dhe sfidat për njohjen e kualifikimeve akademike: Konventa e Njohjes së Lisbonës në kontekstin e Konventës Globale dhe Konventave të tjera Rajonale për njohjen;
3- Lëvizshmëria dhe ndërkombëtarizimi si instrumente për të ndërtuar ura midis makro rajoneve;
4- Sigurimi i cilësisë së arsimit të lartë: Perspektivat dhe strategjitë globale./ata