Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe Hans Kluge, drejtori Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, nënshkruan në Gjenevë, Zvicër, marrëveshjen dyvjeçare të bashkëpunimit.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje konkretizohet forcimi i mëtejshëm i punës së përbashkët në sektorin e shëndetësisë.

Ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale theksoi se në fokus të marrëveshjes është rritja e kapaciteteve me profesionistë të shëndetit mendor, psikologë dhe punonjës socialë pranë qendrave të kujdesit shëndetësor parësor dhe asistencë teknike në mbështetje të autonomisë spitalore për ofrimin shërbimeve me standarde më të larta për qytetarët”.

Ministrja Koçiu nënvizon se nëpërmjet kësaj marrëveshje, OBSH o të mbështesë programin kombëtar të imunizimit për rritjen e vaksinimit kundër HPV-së si një nga ndërhyrjet kyçe për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës për vajzat mbi 13 vjeç.

Një tjetër pikë e kësaj marrëveshje, shtoi Koçiu është dixhitalizmi i shërbimeve në shëndetësi për lehtësimin e një sërë procedurash pranë kujdesit shëndetësor parësor, veçanërisht në zonat rurale.

Ministrja Koçiu e falënderoi Kluge dhe ekipin e OBSH-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë edhe në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Koçiu theksoi angazhimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim në kuadër të iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare në përmbushje të qëllimeve tona të përbashkëta, “Të gjithë për shëndetin, shëndet për të gjithë”./ata