Gjatë gjithë natës ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë dëshpërimisht mes llamarinave të djegura dhe mbeturinave në vagonët e shkatërruar të trenit të pasagjerëve që është përplasur pak pas mesnatës të së martës me një tren mallrash disa kilometra larg qytetit të Larisës dhe në orët e para të mëngjesit kanë filluar të punojnë edhe vinçat gjigantë që të lëvizin pjesët e dëmtuara.
Ndërkohë autoritete mjekësore të qytetit të Larisës ,në spitalin e të cilit janë dërguar trupat e viktimave, njoftojnë se bilanci tragjik i aksidentit më të madh hekurudhor në Greqi ka shkuar tashmë në 47 të vdekur, 42 të konfirmuar zyrtarisht, prej të cilëve 7 krejtësisht të djegur. Të plagosurit janë 57. Midis 6 prej tyre, që vazhdojnë të luftojnë me vdekjen në Repartin e Mjekimit Intensiv janë dy shtetas shqiptarë Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeçe. 38 prej viktimave që nuk janë identifikuar, janë të rinj të moshës 20 deri në 30 vjeç.
Para spitalit në Larisa vazhdojnë të vijnë prindër dhe të afërm të dëshpëruar pasi nuk mund të gjejnë të dashurit e tyre dhe po i nënshtrohen testit të ADN-së për të identifikuar viktimat. Gjithashtu sa i përket numrit të personave që konsiderohen të humbur dëgjohen informacione të pakonfirmuara për 11 deri në 18 persona, mes tyre deri tani ndodhen tre shtetas shqiptarë Klaudia Lata , Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi.
Ndërsa vendi ndodhet në ditën e dytë të zisë kombëtare që ka shpallur kryeministri i vendit ,përgjegjësi i stacionit të Larisës që është arrestuar dje dhe që përballet me akuza të rënda deponon sot para prokurit . Gjithashtu në vendngjarjen e tragjedisë do të kryhet autopsia e aksidentit nga Policia Rrugore e Larisës.
Qeveria greke është zotuar se do të jepen përgjegjësitë për këtë ngjarje fatale dhe ka njoftuar ngritjen e një autoriteti të pavarur që do të shqyrtojë shkaqet e tragjedisë si dhe vonesat kronike të projekteve hekurudhore.
Nga ana e tyre partitë opozitare deklarojnë se kryeministri dhe qeveria e tij po mundohen tja hedhin fajin vetëm një njeriu duke e konsideruar gjithë aksidentin si një gabim njerëzor, ndërkohë që shkaqet janë shumë më të thella dhe e kanë burimin në neglizhenca e gabime shumëvjeçare.
Sa u përket viktimave qeveria greke ka deklaruar se do të marrë përsipër shpenzimet publike të varrimeve të tyre, ndërsa ka ofruar grupe psikologësh pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë aksident.
Midis shumë liderëve botërore që shprehën ngushëllimet e tyre Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken shprehu trishtimin e tij për tragjedinë në luginën e Tembit në një bisedë telefonike që pati me kryediplomatin grek Nikos Dendias, duke siguruar homologun e tij grek se SHBA i qëndrojnë pranë Greqisë në këto momente të vështira.
Në zi të rëndë është edhe komuniteti universitar. Të gjitha universitetet kanë shtyrë aktivitetet e tyre të planifikuara ,ndërsa studentët sensibilizojnë opinionin publik për dhurim gjaku. Në shenjë proteste për aksidentin tragjik përveç Federatës Panhelene Hekurudhave ka shpallur grevë edhe personeli i metrosë në Athinë, ndërsa tubime të reja janë planifikuar pasdite nga sindikata dhe shoqata studentore jashtë zyrave të kompanisë së trenave Hellenic Train në Athinë.