Tronditëse janë detajet që po dalin këtë të enjte, një ditë pas ngjarjeve që tronditën vendin, ku Dan Hutra ekzekutoi tre gra dhe plagosi tre të tjera.
Burime për Abc News bëjnë të ditur se në momentin që Hutra është futur brenda në banesën e ish-bashëjetueses ishin edhe 2 foshnja, fëmija 1 muajsh i Elena Hysës dhe autorit Dan Hutra, si dhe fëmija 6 muajsh i motrës së Elenës.
Mësohet se Hutra fillimisht nga larguar nga banesa fëmijën e tij dhe të Elenës dhe më pas ka nisur të qëllojë. Ndërsa kunata e Elenës, viktima Hasime Dafku ishte shtatzënë.
Ngjarjet
I armatosur me thikë dhe armë zjarri, Dan Hutra lëvizte me makinë. Fillimisht shkoi në Astir. Atje plagosi me thikë 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi. Ishte vetë kjo e fundit e cila pranoi që ishte plagosur prej Hutrës. Për policinë, gruaja tha se me autorin e dyshuar kishte njohje të mëparshme. Këtë të mërkurë ai kishte shkuar në biznesin e saj për t’i kërkuar para, një veprim që sipas 40-vjeçares, e bënte herë pas herë. Sot Marjana refuzoi, ndaj dhe Hutra e plagosi me thikë.
Hutra nuk u ndal, por me makinë shkoi drejt Paskuqanit, aty ku jetonte ish-bashkëjetuesja e tij, me të cilën ka edhe një fëmijë të mitur. Aty kreu masakrën. Vrau 2 gra dhe plagosi 2 të tjera. Viktima janë Mevlute Hysa 30-vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku 30-vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses. Të plagosura mbetën Elena Hysa, 35-vjeçe ish-bashkëjetuesja e autorit të dyshuar dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e saj. Të dyja gratë ndodhen në spital dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.
Pasi u largua nga shtëpia e familjes Hysa, Dan Hutra u nis drejt objektivit të radhës. Shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit. Ai e ekzekutoi 31-vjeçaren në oborrin e shtëpisë dhe u largua po me makinë. Të renë dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë ndaj vëllai të saj, me të cilin kishte pasur konflikt në burg. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i dënuar përjetë për vrasjen e një çifti në Kamzë disa vite më parë.
Me një skedë të pasur kriminale, Dan Hutra krimin e parë e bëri kush ishte 20 vjeç. Në atë kohë mbajti peng nënën e kunatës së tij dhe përdhunoi kunatën tjetër, krime për të cilat u dënuar vetëm me 3 vjet burg.
Pasi doli nga burgu u fejua me një vajzë 22-vjeçare, të cilën e vrau në Dhjetor të 2007. Dafina Havalja u vra në shtëpinë ku bashkëjetonte me Hutrën, në Tiranë. Dyshonte se e tradhtonte, e për këtë arsye e vrau të renë duke e goditur me thikë në zemër. Për këtë ngjarje të rëndë u dënuar me 24 vjet, por duke qenë se gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar, ai qëndroi në burg vetëm 16 vjet.
Në burg u rikthye më 16 Qershor të vitit të shkuar, për dhunë në familje. Do të kishte qenë ende në burg, nëse ish-bashkëshortja e tij Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur këtë të mërkurë në masakrën që ndodhi në familjen e saj, nuk do të kishte tërhequr kallëzimin. Me Elenën kishte pasur konflikte të vazhdueshme, pasi i kërkonte asaj një shumë parash që pretendonte se i kishte shpenzuar më parë me të. Mbetet e paqartë përse e tërhoqi kallëzimin 35-vjeçarja Hysa.