Në Shqipëri, punonjësve të profesioneve të tilla si mësues, mjekë, inxhinierë dhe juristë shpesh iu duhet të përballen me përbuzje, përgojim, e hera herës edhe me kërcënime dhe sulme fizike, veçanërisht kur janë pjesë e sektorit publik. Mangësitë dhe problemet e sistemit iu faturohen individëve që punojnë në këto profesione, duke i përkeqësuar jo vetëm rrethanat në të cilat iu duhet të punojnë, por edhe marrjen e shërbimit nga qytetarët. Herë pas here flitet në mediat tona për nevojën e rikthimit të dinjitetit dhe respektit ndaj profesionistëve duke sjellë pagën dhe përmirësimin e kushteve të punës si argument. Ndonëse përmirësimi i tyre padyshim nuk do ta dëmtonte situatën, në disa raste mund të mos jenë këto të dyja nevojat kryesore; së pari, nevojitet një ndryshim kulturor drejt vlerësimit të shërbimit që profesionistët e këtyre fushave na ofrojnë.
Media luan një rol kyç në formësimin e opinionit publik. Megjithatë, mediat shqiptare, në vend që t’i trajtojnë problemet në kompleksitetin e tyre, preferojnë të përqendrohen tek tituj sensacionalë, trajtimi i historive sa më shkurt e me një gjuhë sa më të thjeshtuar për të kufizuar perceptimin e publikut ndaj problemeve. Thënë ndryshe, nuk duan të bëjnë analiza të thelluara e as të ofrojnë këndvështrime alternative ndaj problemeve të caktuara. Parapëlqejnë tituj sensacionalë dhe qasje konflikt-nxitëse, shpesh duke i shtyrë qytetarët e thjeshtë drejt konfliktit me punonjësit e sektorit publik. Është sikur përtej unformës së mësuesit, mjekut, policit, s’ekziston tjetër veçse një zgavër që duhet mbushur me baltë dhe abuzim sa herë nuk i vjen sipas avazit secilit prej nesh. Duket se sensacionalizmi dhe dëshira për sa më tepër klikime, i shtyn një pjesë të mirë të mediave dhe gazetarëve drejt një portretizimi të kufizuar e hera herës edhe të shtrembëruar të sfidave me të cilat profesionistët dhe qytetarët përballen në jetën e tyre të përditshme. Kjo qasje jo vetëm i demoralizon profesionistët e sektorit publik por, mbi të gjitha, minon besimin e qytetarëve ndaj këtyre shërbimeve esenciale.
Për më tepër, vitet e fundit vendi ynë po përballet me eksodin shqetësues, ndër të tjera edhe të infermierëve, mjekëve, mësuesve e inxhinierëve drejt vendeve perëndimore. Shumë prej tyre zgjedhin ta ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani, Francë, SHBA, Kanada, ose edhe të bëjnë hapa pas në karrierën e tyre, vetëm e vetëm që të mos punojnë në Shqipëri. Ndonëse thuhet se pagat e ulëta dhe arsyet ekonomike janë arsyeja kryesore e këtij eksodi, kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Ka shumë profesione të keqpaguara në vendin tonë, por arsyet se përse një pjesë e madhe e profesionistëve të sipërpërmendur largohen, janë më komplekse. Shumë prej tyre zgjedhin të ikin jo për arsye financiare, por për t’i shpëtuar abuzimit dhe mungesës së respektit e dinjitetit me të cilin përballen në vendin e tyre. Në perëndim ata gjejnë mjedisin ku përvoja dhe aftësitë e tyre vlerësohen si edhe dinjitetin që meritojnë. Ky vlerësim i kontributit dhe aftësive të tyre në perëndim, është në kontrast të thellë me klimën armiqësore me të cilën përballen në Shqipëri. Nga ana tjetër, po dëgjojmë raporte shqetësuse se gjithmonë e më pak të rinj preferojnë të studiojnë në këto fusha. Koha e gjatë e shpenzuar në studime, vështirësia e punësimit, rrethanat në të cilat iu duhet të punojnë dhe, mbi të gjitha, përbuzja dhe abuzimi me të cilin do t’iu duhet të përballen, i shtyjnë shumë të rinj të zgjedhin profesione të tjera, duke bërë që në një kohë jo shumë të largët të rrezikojmë mos të kemi më mësues, infermierë e mjekë në vendin tonë.
Ekziston gjithashtu edhe problemi i vjetër i dëshirës për trajtim preferencial. Secili prej nesh është personazh kryesor në jetën e vet dhe problemet e tij i sheh mbi ato të të tjerëve. Të tjerët janë thjesht turmë, personazhe plotësuese, të rëndësishëm vetëm në rolin e korit që aprovon shqetësimet tona. Deri këtu, kurrfarë problemi. Por, gjërat ndryshojnë kur trajtimin preferencial që i japim vetes, e kërkojme me detyrim kudo, duke shkelur mbi të drejtat e të tjerëve. Fjala vjen, dikush që kërkon t’i shihet me përparësi shqetësimi i vet ligjor, shëndetësor apo çdo shqetësim tjetër, duhet të kujtohet se kapërcimi i radhës nënkupton lënien mënjanë të tjerëve, të cilët mund të kenë qenë në radhë përpara tij. Kur kërkojmë një shërbim publik, ai shërbim duhet të na jepet të gjithëve me të njëjtin standard pavarësisht statusit shoqëror, ekonomik, apo famës që disa individë mund të gëzojnë. Dhe, nëse disa e kanë zët barazinë, nuk mund t’iu drejtohen profesionistëve me kërcënime e abuzime verbale duke iu hyrë edhe në hapësirat e tyre personale, qoftë fizike ose digjitale.
Ndaj, nevojitet një përpjekje e përbashkët nga të gjitha segmentet e shoqërisë, nëse duam një shërbim cilësor nga mësuesit, mjekët, infermierët, e shumë profesione të tjera; sidomos nëse duam të
shmangim ikjen e tyre. Media duhet të jetë më e përkushtuar ndaj një gazetarie të përgjegjshme, që thekson problemet sistemike pa linçuar individët. Dialogu publik nevojitet të përqendrohet në zgjidhje konstruktive duke njohur gjithashtu punën e vështirë dhe përkushtimin e profesionistëve të sektorit publik.
Nevojitet, po ashtu, një ndryshim kulturor drejt vlerësimit dhe respektimit të punonjësve të shërbimeve esenciale. Kjo mund të arrihet përmes fushatave edukuese, por edhe përmes ndryshimit të politikave për mbrojtjen e profesionistëve nga abuzimi dhe kritikat pa bazë. Vetëm duke krijuar një mjedis respekti dhe vlerësimi, ne do të mund t’i mbajmë profesionistët e talentuar dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Rikthimi i respektit dhe dinjitetit ndaj mësuesve, inxhinierëve, mjekëve, infermierëve dhe guxoj të them edhe politikanëve, është i domosdoshëm për të ndërtuar një shoqëri që njeh dhe vlerëson kontributet e atyre, të cilët i përkushtojnë jetën shërbimit publik. Përndryshe, do të humbasim mjekët, mësuesit, infermierët dhe një sërë profesionesh të tjera e, do të na ngelen vetëm politikanët. Po, sa kohë në diskursin publik as politikanëve nuk iu jepet ndonjë farë respekti ose dinjiteti, pjesë e politikës do të duan të bëhen vetëm ata që nuk e kanë problem të zvarriten nga të tjerët nëpër baltën e akuzave dhe ofendimeve, pasi vetë baltën ndoshta e kanë pjesë përbërëse të identitetit të tyre dhe s’jetojnë dot pa të./Tema