Në Ditën Botërore Pa Duhan futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë realizuar një video për të sensibilizuar të rinjtë dhe jo vetëm për mospërdorimin e duhanit.

Në videon e publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale futbollistë të Kombëtares japin mesazhet e tyre sensibilizuese nga qendra stërvitore në kryeqytet, ku po përgatiten për EURO 2024 duke i bërë apel të rinjve dhe jo vetëm, të mos e përdorin duhanin dhe të merren me sport.

“Mirënjohje Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila iu bashkua fushatës sonë kombëtare antiduhan dhe suksese kombëtares sonë të futbollit në rrugëtimin drejt Europianit 2024”, shkruan Rama.

Mesazhi sensiibilizues është shpërndarë edhe nga ministrja Albana Koçiu, e cila thekson se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vazhdojë punën për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe mbrojtur të rinjtë nga përdorimi i duhanit. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka intensifikuar veprimet për mbrojtjen e shëndetit publik nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre”.

“Së bashku të ndalojmë përhapjen e dëmshme të duhanit dhe të mbrojmë shëndetin tonë”, apelon ministrja Koçiu.

“”Mos ndiz cigaren, ndiz shpresën”, “Zgjidh shëndetin jo duhanin”, “Jeto më gjatë, lëre duhanin sot”, “Jeta është më e bukur pa tym”, “Shëndeti fillon kur duhani ndalon”, “Mos e lejo duhanin të të kontrollojë”, janë disa nga mesazhet e ndara nga futbollistët e Kombëtares.

Videoja sensibilizuese u shpërnda në rrjetet sociale edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën Botërore Pa Duhan, me qëllim ngritjen e vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

Me rastin e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhanpirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme./ata