Të paktën 12 palestinezë u vranë në sulmet që avionët luftarakë izraelite kryen përgjatë natës në rajonet qendrore të Rripit të Gazës.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, personat që humbën jetën në sulmet e kryera ndaj kampit të refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, u dërguan në spitalin Dëshmorët e Aksasë në Deir Al-Balah.
Në sulmin ku u shënjestrua shtëpia e familjes palestineze "Al-Sous" në kampin e refugjatëve Al-Bureij, sipas të dhënave paraprake humbën jetën 8 palestinezë, përfshirë 2 fëmijë dhe 3 gra.
Ndërkohë, të paktën 4 persona humbën jetën si pasojë e bombardimit të avionëve luftarakë izraelitë ndaj familjes "Al-Hour" në kampin e refugjatëve Al-Bureij.
Po ashtu thuhet se ka të vdekur dhe të plagosur edhe nga shënjestrimi i një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në veri të kampit të refugjatëve Nusseirat që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza në një deklaratë të bërë dje, njoftoi se në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, janë vrarë 36.224 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra, ndërsa janë plagosur 81.777 palestinezë të tjerë./aa