U ndanë sot në Kosovë çmimet për Veprimtari Jetësore dhe për Arritjet në Fushën e Artit Pamor.

Në Ministrinë e Kulturës u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” dhe Çmimi Vjetor për Arritjet në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bazuar në vlerësimin e Komisionit Vlerësues, Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore ia dha (post-mortem) piktores Alije Vokshi dhe Çmimin Vjetor për Arritjet në Fushën e Artit Pamor për piktorin Esat Valla.

Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pioneret e artit pamor në Kosovë, ndërsa Esat Valla është i njohur për pikturat e tij surreale. Çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e pranoi vajza e saj, Visare Selimaj.

Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në përparimin e artit./ata