Poeti i njohur nga Korça, Skënder Rusi u nda sot nga jeta në moshën 72-vjeçare.
Autori i 25 vëllimeve me poezi, Skënder Rusi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Rusi u lind në Devoll në vitin 1952. Me një karrierë mbi 50-vjeçare në fushën e letrave, poezitë e tij kanë tërhequr lexues të shumtë brenda dhe jashtë vendit
Skënder Rusi ka botuar 8 libra me poezi dhe dy nga dramat e tij janë vënë në skenë nga trupa e teatrit “A. Z. Çajupi”. Krijimet e tij janë përfshirë në antologjitë e disa vende të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.
Jeta shpirtërore dhe krijuese e poetit Skënder Rusi është e lidhur me qytetin e Korçës, qytet të cilit si rrallëkush më parë, i ka kushtuar një libër me 100 poezi të gjitha si dedikim ndaj tij, përfshirë edhe një poezi – himn ndaj qytetit: “Korçës një fjalë dashurie”.
Aktiviteti i tij në fushën e kulturës dhe librit në rajonin e Korçës ka një shtrirje profesionale 27 vjeçare, duke nisur si drejtor i Pallatit të Kulturës së qytetit të Korçës 1991-1996 dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit nga 1997-2017.
Në vitin 2011 këshilli bashkiak i Korçës i dha lirikut Skënder Rusi titullin “qytetar nderi”.
Prej 12 vjetësh ishte kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” në Korçë. Prej 7 vjetësh organizonte dhe drejtonte aktivitetin më të madh kulturor në Korçë: “Netët korçare të poezisë” me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.
Për ndarjen nga jeta të poetit Skënder Rusi, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shprehu ngushëllimet e tij në një postim në rrjetet sociale.
“Sa shumë ke shkruar për jetën, për vdekjen, për dashurinë, për pranverën, për dimrin, sidomos për dimrin siç shkruaje ti. Sot na le këtë testament të fundit, ku me frekuencën e dridhjes së dorës tënde të artë, ke shkruar brenda pak vargjesh filozofinë e jetës madje të vetë universit. Nuk i harroj mëngjeset në universin e zyrës tënde në bibliotekë, Skënder. Ti prodhoje pashtershëm. Çdo mëngjes fillonte me recitimet e poezive të tua. Një botë e madhe ishte futur brenda trupit tënd të brishtë. Tani do të përhapet në ajrin e qytetit që ti i këndove aq bukur – në Korçën tonë që nuk do të harrojë kurrë. Sidomos Korça”, shkruan Peleshi./ata