Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një takim që zhvilloi me punonjësit e ujësjellës kanalizimeve Vlorë deklaroi “zero tolerancë për këdo që abuzon me detyrën”.

“Në Vlorë qeveria shqiptare ka investuar më shumë se kudo dhe unë me shumë dëshirë vij këtu për të parë ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës, përfundimin e punimeve në tunelin e Llogorasë, apo të gjitha punët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektin e Lungomares e shumë të tjera, si investimet në Triportin dhe Portin e Vlorës”, tha Balluku, teksa theksoi se nuk ka asnjë herë dëshirë të vijë në Vlorë për të tërhequr vëmendjen apo  për të zbuluar skema korruptive që shkojnë në kurriz të qytetarëve.

Balluku solli në vëmendje se qeveria që në vitin 2021, duke vlerësuar performacën e dobët të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve nën mbikëqyrjen e pushtetit vendor, ndërmori një reformë të thellë për rivitalizimin e sektorit, duke marrë dhe udhëheqjen e këtyre ndërmarrjeve.

Ajo tha se, për faktin e menaxhimit abuziv të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve në varësi të bashkive, qytetarët nuk kanë marrë shërbimin e duhur.

“Në këto kushte këto ndërmarrje kanë kaluar në administrimin e pushtetit qendror dhe në harkun e një viti kemi arritur të kemi rezultate të mirëfillta të kësaj reforme për të gjitha këto ndërmarrje që kanë paraqitur problematika. Sot kemi një tjetër nivel të përmirësimit të treguesve për këtë sektor, në drejtim të të ardhurave, rënies së nivelit të humbjeve të ujit në rrjet, rakordim të afateve të zbatimit të projekteve”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, sot e vetmja ndërmarrje që ka një problem të madh financiar është Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë.

“Që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës, nga një grusht njerëzish që kanë vendosur të marrin paratë e kompanisë dhe t’i përdorin për qëllimet e veta, kjo është një çështje që ju duhet ta dini zyrtarisht, se nuk do të lihet në sirtaret e ministrisë, por do të ndiqet penalisht për të gjithë aktorët e përfshirë, pa përjashtuar këtu askënd, nga dizenjuesit e deri tek nivelet më të larta të kësaj skeme”, deklaroi Balluku.

Ajo paralajmëroi se dosja e shkeljeve në këtë ndërmarrje është përgatitur me të gjitha detajet, teksa shtoi se do ta dërgojë personalisht atë në SPAK.

Balluku tha se, “kjo është detyra ime personale dhe e stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjet në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Kemi çdo gjë gati për çdo detaj abuzimi dhe për çdo person. Dosjet janë gati”.

Balluku shtoi se të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë zhvatëse “i kanë hyrë detit në këmbë”.

“I keni hyrë detit në këmbë. I kanë rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë dhe për këtë do përgjigjeni të gjithë. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit, sepse ca patën dëshirë të bënin para dhe besuan se zbuluan skemën e shekullit”, u shpreh Balluku./ata