Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi gjatë një operacioni mbrëmjen e djeshme në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviçit, u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës.
Sveçla deklaron se kjo është dëshmi e radhës se “mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”.
Ai ka deklaruar se të gjithë elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen.
“Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet. Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla në një postim në rrjetet sociale. /KosovaPress/