Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se anëtarësimi në NATO është nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në aspektin e përgatitjes së saj për të qenë pjesë e aleancës veri-atlantike.

Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, thekson se avancimi i statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi madhor për vendin.

Përmes kësaj, ministri Maqedonci deklaron se deputetët kosovarë që do të jenë pjesë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, do të kenë mundësi të paraqesin rezoluta të ndryshme për sigurinë në Ballkan.

Maqedonci deklaron se Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë ka ndërtuar kapacitetet sipas standardeve të NATO-s.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme luftarake për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë.

Krahas sigurisë për Kosovën, ministri i Mbrojtjes thotë se anëtarësimi në NATO do të paraqiste siguri për të gjithë Ballkanin Perëndimor. /KosovaPress/