Rreth 28 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore.
Drejtoresha e politikave arsimore, Zamira Gjini tha sot për mediet se “provimi i parë i Maturës Shtetërore ai i gjuhës së huaj është më 3 qershor.
“Ministria e Arsimit dhe strukturat e varësisë së saj kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një proces me standarde të larta administrimi”, tha Gjini.
Sipas saj, edhe këtë vit provimet do bëhen në ambiente të mëdha.
“Janë rreth 144 qendra provimi dhe do të administrohen nga 2700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të cilët janë angazhuar për të administruar, për të monitoruar procesin e Maturës Shtetërore. Do të ketë edhe qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore dhe madje 70% e mjediseve do të monitorohen nga kamerat për të siguruar dhe për të pasur një proces administrimi sa më transparent”, theksoi Gjini.
Duke folur për testet, Gjini tha se “do të jenë të të njëjtit model, me ato nivele të pyetjeve, nivele të arritjeve të pyetje me 40% niveli më i ulët, 40% niveli mesatar dhe 20% niveli më i lartë i arritjeve. Në mënyrë të tillë që secili maturant të marrë dhe të gjejë veten sipas nivelit të arritjeve që ai ka, gjatë përgatitjes së tij në ciklin e arsimit të mesëm të lartë”.
Gjini i bëri apel prinderve dhe maturantëve të bëjnë kujdes që të zbatojnë të gjitha rregullat e Maturës Shtetërore, të cilat i kanë të përcaktuara qartë sidomos për përdorimin e celularit.
“Maturantët nuk duhet të marrin celularët në ambientet ku zhvillohet Provimi i Maturës Shtetërore, sepse është e ndaluar rreptësisht përdorimi i tyre”, shtoi ajo.
Pas provimit të gjuhës së huaj më 3 qershor, më 10 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas më 18 qershor do kenë matematikën ndërsa më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.
Provimet e maturës nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta./ata