Specialistët e DRTK Shkodër kanë organizuar një aktivitet i cili në thelb ka njohjen e brezit të ri me historinë, traditat, arkitekturën e pasurinë kulturore të qytetit të Shkodrës.

Me këtë rast u zhvillua një ecje tematike me nxënës të shkollës “Martin Camaj”, dedikuar gjurmimit të kujtesës historike dhe peizazhit arkitektonik urban të lagjes “Gjuhadol” dhe rrugës “Kol Idromeno”.

Fëmijët u njohën me pikëtakime interesante e të rëndësishme për zhvillimin e qytetit, duke përqendruar në 5 ndalesa: përgjatë Qendrës Historike, Katedralja e Shën Shtjefnit, banesa ku jetoi Kol Idromeno, Truma e Dugajve të Reja dhe Fushë-Çelë.

DRTK Shkodër shkroi online se fëmijët, të udhëhequr nga specialisti Helidon Sokoli, u inkurajuan të ndanin përvojat dhe njohuritë e tyre si një ndërlidhje mes ndjesisë e krenarisë ndaj trashëgimisë së qytetit. Gjithashtu kjo ecje tematike u shoqërua me ndjesinë e bukur që të fal trashëgimia, përmes fotografisë dhe gjëegjëzave./ata