Mes emocionesh, ngjyrash dhe atmosferës, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër mbylli një tjetër edicion të tij, atë të 62-tin.
Juria përzgjodhi dy këngë fituese sipas kategorive respektive të ndara në grupmosha.
Për moshat 6-9 vjeç Rejna Koçi u shpall fituese me këngën “Dashuri sjell në këtë botë”.
“Sytë e saj” ishte kënga e artistes Ameis Demiraj që u vlerësua si më e mira për grupmoshën 10-14 vjeç.
Në këtë natë finale nuk munguan të ftuarit e veçantë që ndër vite kanë kontribuar për festivalin e fëmijëve si: Rosela Gjylbegu, Elhaida Dani dhe Alis Kallaçi.
Prej tre vitesh në festival akordohet edhe çmimi “Kujtim Alija” që në këtë edicion shkoi për mjeshtrat e korit: Bardhyl Hysa, Arben Jubani dhe Leonora Luca.
Festivali i Këngës për Fëmijë në Shkodër ka nxjerrë ndër vite emra të njohur të skenës muzikore shqiptare duke zënë një vend të rëndësishëm në ecurinë e artit në Shqipëri./Shqiptarja