Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij atdhetare e kulturore shkrimtari i madh shqiptar Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Përmes kartëmonedhës së qarkullimit me prerje 200 Lekë, Banka e Shqipërisë përkujton sot, 178-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit.

Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846, në Frashër të Përmetit dhe vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare, ai mbetet poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare.

E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore lidhet ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit.

Ai luajti një rol themelor në pasurimin e gjuhës letrare shqipe, të cilën e shkroi me një përkushtim të veçantë ndaj fjalorit dhe frazeologjisë së përzgjedhur. Duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, Naimi shkroi në një shqipe të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur në lartësinë e një gjuhe të zhvilluar, e cila mbetet një pasqyrë e mendjes dhe shpirtit krijues të autorit. Krijimtaria e tij është dukshëm e frymëzuar nga një patriotizëm i thellë dhe një dashuri e mirëshprehur për natyrën e vendit tonë.

Vepra e tij më e njohur poetike mbetet “Bagëti e bujqësi”, nga ku janë marrë dhe fjalët e shkruara në pjesën e pasme të kartëmonedhës 200 Lekë, që përbëjnë një himn të vërtetë letrar, i cili përcjell gjithë dashurinë, përkatësinë dhe krenarinë e autorit për atdheun. Portreti i tij, simbol i periudhës së Rilindjes Kombëtare, pasqyrohet në kartëmonedhën e qarkullimit 200 Lekë, emetim i vitit 1996, rishtypur në vitet 2001, 2007, 2012 dhe së fundmi edhe në kartëmonedhën e re 200 Lekë prej polimeri, emetuar në vitin 2017./ata