Punimet për qendrën pritëse të emigrantëve në portin e Shëngjinit po shkojnë drejt fundit.
Këtë të hënë kanë mbërritur agjentë të sigurisë së shtetit italian, të cilët do të dislokohen në Shëngjin për të garantuar sigurinë e refugjatëve.
Ndërkohë ditën e mërkurë, pritet të mbërrijnë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila së bashku me kryeministrin Rama do të vizitojnë qendrën pritëse në portin e Shëngjinit dhe do të inspektojnë ecurinë e punimeve për kampin e Gjadrit.
Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre.
Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.
Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar./Shqiptarja