Saranda sapo ka çelur sezonin turistik duke vënë në qendër të tij këtë vit prodhimet e detit.
Fish Fest synon të kthehet në një festë të përvitshme identitare në qytetin bregdetar ku ushqimi është targetuar të jetë një prej ofertave unike të sezonit.Festa që shoqëroi çeljen e sezonit po zgjat prej disa ditësh ndërsa Saranda ka një zënie ditore aktuale të akomodimit rreth 50%. Në raport me vitin e kaluar numri i vizitorëve që prej Janarit është rreth 40% më i lartë. Plazhet publike që nisin që prej portit dhe përfundojnë në rrugën dalëse drejt Ksamilit kanë filluar të presin pushues nga Shqipëria dhe Europa.
“Shënojmë sot çeljen e sezonit turistik me Saranda Fish Festival, me një mori aktivitetesh duke filluar me koncerte argëtuese. Në stendat e fëmijëve kanë filluar gjithashtu aktivitetet që në mëngjes, pjesë artistike, demonstrime, ese gjithnjë me tematikën e peshkut. Stendat në shëtitore ofrojnë mundësi që të shijohen të gjitha gatimet tradicionale dhe autentike të peshkut. Festa do të zgjasë për disa ditë. Për Sarandën, festivali i peshkut duke qenë se është edhe diçka karakteristike besoj se do të pëlqehet shumë e do të kthehet në një traditë. Këtu pranë nesh ndodhet edhe muzeu i peshkut që është hera e parë që krijohet. Aty ka histori nga peshkatarët, ka tematika të ndryshme që lidhen me peshkun, por edhe me mbrojtjen e mjedisit. Do të shfaqim edhe një dokumentar që përshkruan jetën e peshkatarëve dhe të veçantat e qytetit“, u shpreh Eliana Demi.
Në portin e Sarandës po regjistrohen prekje të përjavshme nga anijet cruiz të cilat kanë rezervuar mbërritje deri në vjeshtën e vonë. Saranda, Ksamili dhe rrethinat kanë shtuar kapacitet akomoduese në raport me para pandeminë me të paktën 20% ndërsa që prej korrikut e deri në fund të tetorit zënia e hoteleve është pothuajse në masën 80%
E veçanta e turizmit të kësaj vere në Sarandë lidhet me një profil klientësh që ka më shumë interesa dhe për herë të parë ka rezervime që pritet të zgjasin sezonin deri në tetor, një trend i pushimeve të vjeshtës me standarte mjaft më të larta. Oferta e mirë turistike në aktivitete, eksplorimin e zonës pranë bregdetare dhe aseteve kulturore e agroturizmit për këtë kategori vizitorësh është parë si një zgjidhje për të zbehur sezonalitetin edhe për vitet në vijim.
Operatorët në Sarandë, pavarësisht shifrave presin të sfidohen prej mbingarkesës në trafik, mungesës së parkingëve, stafit të pamjaftueshëm dhe nevojës së lartë për kualifikimin e punonjësve të turizmit./TopChannel