Kremlini ka bërë të ditur se do të arrihen të gjitha marrëveshjet e nevojshme me Kinën në lidhje me furnizimin me energji të vendit.
Në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se “koordinimi i çështjeve komerciale do të vazhdojë dhe ne nuk kemi asnjë dyshim se të gjitha marrëveshjet e nevojshme do të arrihen”.
Duke u shprehur se është krejtësisht normale që secili vend të mbrojë interesat e tij, Peskov tha se negociatat mes Rusisë dhe Kinës do të vazhdojnë për shkak të vullnetit politik të lidershipit të dy vendeve.
Më tej, Peskov tha se bashkëpunimi midis Moskës dhe Pekinit në fushën e furnizimit me energji ishte në agjendën e bisedimeve të mbajtura midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së muajit të kaluar në Kinë.
“Dhe në përgjithësi, siç u shënua edhe në deklaratën e nënshkruar dypalëshe, si Rusai ashtu edhe Kina janë të interesuara për të vazhduar dhe thelluar dialogun për energjinë”, tha Peskov.
Një deklaratë e përbashkët e të dy vendeve më 16 maj, gjatë vizitës dyditore të presidentit Putin në Kinë, tha se Moska dhe Pekini do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin e tyre strategjik në sektorin e energjisë dhe të kryejnë zhvillimin e tij në një nivel të lartë në “interes të garantimit të sigurisë ekonomike dhe energjetike të dy vendeve”./aa