“Shqipëria mund të jetë surpriza e grupit B të Europianit. Fakti që Kombëtarja kuqezi nuk e ka presionin e pritshmërive të larta, mund të rezultojë çelësi i suksesit për ekipin e Sylvinhos. Të luajnë pa presion mund t’i bëjë lojtarët e Kombëtares të japin më të mirën e tyre.”


Është ky konstatimi i agjencisë së lajmeve “Reuters”, të cilët bëjnë një prezantim edhe për Kombëtaren Shqiptare.

Për herë të dytë në histori në finalet e Europianit, përfaqësuesja ka detyrën e vështirë të përballet në një grup jashtëzakonisht të fortë, me kampionët në fuqi të Italisë, së bashku me Spanjën dhe Kroacinë.

Me pjesëmarrjen në finale, Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë një eksperiencë e madhe, do të rritet nga forma e në krahasim me kualifikueset ku doli si kreu i grupit, duke parakaluar Republikën Çeke dhe Poloninë, pasi kaluan shtatë ndeshje të pamposhtura pas humbjes së tyre në hapje ndaj polakëve.

Që nga debutimi i tyre historik në vitin 2016, Shqipëria ka humbur kualifikimin në Euro të fundit së bashku me dy Kupat e Botës, por nën drejtimin e trajnerit të ri Sylvinho, është bërë kthesa. Në vitin 2022, Shqipëria shënoi vetëm një fitore në 11 ndeshje. Sylvinho mori drejtimin në fillim të vitit 2023 dhe skuadra fitoi 5 nga 9 ndeshje, duke humbur vetëm 1 herë.


Trajneri mori kolegët, brazilianin Doriva dhe argjentinasin Pablo Zabaleta për të punuar së bashku. Ata vendosën të gjenin lojtarë që i përshtateshin stilit të tyre të lojës. Jasir Asani është një nga ata futbollistë, në krahun e djathtë dhe me goditjet e tij të forta me këmbën e majtë, ai është paraqitur në çdo ndeshje që nga hyrja e Sylvinhos dhe ka shënuar tre gola në kualifikuese.

Shqipëria do të shpresojë të kapë në befasi Italinë në ndeshjen e parë të grupit B. Shumë lojtarë të kuqezinjve njihen me kundërshtarët e tyre. Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Ylber Ramadani, Etrit Berisha dhe Ardian Ismajli luajnë të gjithë klube në Serinë A.

Shqipëria ka një bilanc negativ pasi ka humbur të katër takimet e mëparshme me Italinë dhe ndaj Spanjës ka pësuar disfatë në secilën nga tetë ndeshjet e saj, ndërsa në Gjermani do të jetë ndeshja e parë me Kroacinë.

Kur u hodh shorti për grupin e kualifikueseve të Europianit, pritej që të parat të renditeshin Polonia dhe Republika Çeke dhe kjo i dha mundësinë Shqipërisë të fitonte betejën. Shqipëria u tregua më e forta, kështu që të qenit e dobët në letër duket se i përshtatet Kombëtares tonë./Tema