Nga Maqedonia e Veriut janë nisur grupet e para të besimtarëve muslimanë që udhëtojnë në Arabinë Saudite për të përmbushur obligimin e haxhit.

Grupi i parë prej 180 haxhilerëve përbëhej nga besimtarët e Shkupit, andaj aeroporti ndërkombëtar i Shkupit ishte i stërmbushur me familjarë të cilët kishin ardhur për të përcjellë të afërmit e tyre.

Në aeroport i pranishëm ishte edhe kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Reis Ulema Shaqir Fetai, i cili u shpreh se ka kënaqësi të veçantë të përcjellë grupin e parë të besimtarëve të cilët bashkë me familjarët e tyre përjetojnë "gëzimin më të madh të jetës së tyre".

"Ne urojmë të gjitha familjet që përcjellin familjarët e tyre, baballarët e tyre, vëllezërit e tyre, nënat e tyre për në vendet e shenjta, por në të njëjtën kohë lusim Allahun Fuqiplotë që haxhinjtë të kenë rrugë të mbarë, atje në vendet e shenjta t'ju jep shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe dhashtë i Madhi Zot që të kryejnë me sukses të gjitha obligimet fetare që kërkohen në kryerjen e haxhit dhe të kthehen shëndosh e mirë në vendlindjen e tyre, në familjet e tyre me haxh të pranuar", tha Fetai.

Ai sqaroi se nga Maqedonia e Veriut këtë vit për në vendet e shenjta udhëtojnë 2.040 haxhinj, teksa u shpreh se organet kompetente të BFI-së kanë kryer një punë të shkëlqyer.

"Këtë e tregon fakti se Arabia Saudite, Ministria e Haxhit, BFI-në në Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak të shpejtësisë dhe precizitetit e ka futur në rang-listë në vendin e pestë në të gjitha shtetet e botës, që është një respekt i veçantë dhe një mirënjohje e veçantë nga Arabia Saudite", tha kreu i BFI-së, duke shprehur bindjen se ekipet shoqëruese, përfshirë udhëheqësit dhe ekipet mjekësore, do të jenë në shërbim të haxhijve në Mekë dhe Medinë.

Muftiu i Shkupit, Qenan Ismaili tha se i gjithë organizimi i BFI-së ka pasur një nivel shumë të lartë të profesionalizmit në bashkëpunim me të gjitha institucionet vendore.

"Ne i kemi kryer të gjitha procedurat këtu. Ne veçmë kemi një pjesë të ekipit atje, që janë në Xhidde dhe në Mekë, ku i presin edhe haxhinjtë e parë që do të zbresin atje dhe mendoj se gjithçka, ashtu siç ishte planifikuar, edhe të realizohet. Mbi të gjitha haxhinjtë të kenë shëndet dhe të na kthehen me Haxh të pranuar", tha Ismaili.

- "Njëherë të shkosh, mendtë të rrinin atje"

Njëri nga haxhinjtë, 50-vjeçari Ismail Ahmeti nga Shkupi, shprehet se më herët ka qenë në vendet e shenjta për të kryer Umren, por thekson se kjo është hera e parë që shkon në kohën e Haxhit dhe se kjo është kënaqësi e veçantë.

"Allahu na e paska bë të mundur me shku në Haxh sivjet, ashtu që kënaqësia është e madhe. Ashtu ishte vendi aty, një herë të shkosh edhe mendtë të rrinin vazhdimisht atje", tha Ahmeti.

Imam-hatibi i xhamisë në fshatin Haraçinë të Shkupit, 47-vjeçari Shefket Baftjari thotë se ka kryer Haxhin disa herë, duke shërbyer edhe si udhëheqës, por thekson se çdoherë lut Zotin që edhe vitin e radhës të udhëtojë sërish.

"Kemi udhëtuar shpeshherë (për në vendet e shenjta), normalisht që është ajo e cila na tërheq më së shumti jo si udhëheqës, por si haxhinj. Ndoshta ngushtohemi të tregojmë numrin se sa herë kemi udhëtuar, por e kemi lutur Allahun si çdoherë, të shkojmë çdo vit atje, njëashtu e lusim Zotin për çdo besimtar të shkojë atje", tha Baftjari./aa