Qeveria izraelite ka miratuar një deklaratë duke kundërshtuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez.

“Izraeli kategorikisht kundërshton diktatet ndërkombëtare rreth një zgjidhje të përhershme me palestinezëve. Një zgjidhje, nëse arrihet, do të arrihet vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta mes palëve, pa parakushte”, thuhet në vendimin e kabinetit të cituar nga ‘The Times of Israel’.

Sot, para një takimi të kabinetit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do të paraqesë një deklaratë që kundërshton presionin ndërkombëtar për “t’i imponuar Izraelit një shtet palestinez në mënyrë të njëanshme”.

“Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë një njohje të njëanshme të një shteti palestinez”, thuhet në vendimin e kabinetit, duke e cilësuar një veprim të tillë “çmim masiv dhe të paprecedentë për terrorin”.

Sipas gazetës ‘The Washington Post’, SHBA-ja dhe disa vende arabe po finalizojnë një plan afatgjatë të paqes midis Izraelit dhe Palestinës dhe se plani përfshin një “afat kohor të fortë për krijimin e një shteti palestinez që mund të shpallet që në javët e ardhshme”.

Dje, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli ka një mundësi të madhe për të arritur paqen me palestinezët, duke shtuar se krijimi i një shteti palestinez është bërë një nevojë urgjente.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke pretenduar të gjithë Kudsin si kryeqytet të tij “të përjetshëm dhe të pandarë”, një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Palestinezët, nga ana e tyre, shpresojnë në krijimin e një shteti të pavarur të tyre në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë mbi 28 mijë palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, si dhe duke shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa