Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan deklaroi se presin përgjigje nga Hamasi lidhur me propozimin e armëpushimit në Rripin e Gazës të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden.

Sullivan bëri një deklaratë për gazetarët lidhur me propozimin që Bideni paraqiti në lidhje me propozimin e ri të Izraelit për armëpushim që përbëhet nga tre faza.

"Topi është në fushën e Hamasit, nëse do të pranohet apo jo. Tani ne presim përgjigje nga Hamasi", tha Sullivan i cili shtoi se ata janë në komunikim edhe me ndërmjetësit nga Katari, të cilët diskutojnë propozimin e marrëveshjes me Hamasin.

Sullivan tha se drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), William Burns do të vizitojë Katarin.

Dje, faqja e lajmeve "Walla" e Izraelit raportoi se Burns do të vizitojë Katarin për të diskutuar marrëveshjen aktuale midis Izraelit dhe Hamasit për shkëmbimin e pengjeve dhe një armëpushim në Rripin e Gazës.

Biden në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë më 31 maj, deklaroi se Izraeli ka paraqitur një propozim të ri për një armëpushim të përbërë nga 3 faza.

Në anën tjetër, burimet egjiptiane emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur nga televizioni "Al-Kairo al-Ikhbariyah" që transmeton në Egjipt, thanë se zyrtarët egjiptianë të sigurisë do të takohen sot në Doha me homologët e tyre nga Katari dhe ato amerikanë për të diskutuar mekanizmat për rifillimin e negociatave për armëpushim./aa