Kryeministri Edi Rama, u shpreh se në lidhje me marrëveshjen për emigrantët me shtetin italian, shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë kalkulim dhe nuk ka fituar asnjë euro.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministren italiane Georgia Meloni, Rama theksoi se, “ky proces i përfshirjes së Shqipërisë në komunitetin e vendeve demokratike, anëtarësimi i saj në NATO dhe BE, si dhe fakti që Shqipëria më në fund pas 100 vjetësh nën perandori dhe regjime të imponuara, ka zgjedhur të jetë pjesë e këtij komuniteti dhe për këtë ka aletë strategjik BE-në dhe SHBA -në ashtu siç ka të gjitha të mirat ka dhe pjesën që është sfiduese”.
Rama u shpreh se, “raportet në këtë komunitet nuk janë një menu, që kur ti do të marrësh një mbështetje, kur ti do të kesh më shumë mundësi për të investuar në një rrugë ku shqiptarët aspirojnë dhe nga ana tjetër, pasi këto i ke marrë të gjitha kur vjen puna te sfidat dhe tek ato momente që nuk janë, momente lumturie por janë momente pagjumësie të thuash jo. Ne mund të thoshim jo, siç thanë të gjithë të tjerët, kur ata në Kabul u lanë në mëshirën e fatit. Por duke qenë një vend anëtarë në NATO dhe të vetëdijshëm që nuk mund të kontribuojmë për të përcaktuar fatet e luftrave, ku futet NATO, na takonte ne dhe për traditën tonë, dhe të mos harrojmë se jemi i vetmi vend në Europë që kemi pasur më shumë hebrej pas luftës se para luftës së Dytë Botërore, pikërisht sepse ne jemi lindur në një vend që në ADN-në e vet e ka të shkruar që shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Ne prandaj e bënë atë gjest, jo të kalkuluar për ndonjë interes as duke menduar se çfarë do të përfitojmë ne nga pikëpamja ekonomike sepse praktikisht ne po paguajmë për qëndrimin e disa 100 afganëve në hotel me shpenzimet tona dhe kam dëgjuar e lexuar lloj lloj gjërash në mediat italiane që as nuk nuk mund t’i imagjinoja se çfarë fshihet pas kësaj marrëveshje, në një kohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë euro. Sepse në momentin që do të kërkonim dhe një euro, ne nuk do të ishim ne, dhe Shqipëria nuk do të ishte ajo që duhet të jetë, një mik dhe një aleat që është aty, kur një mik dhe një aleat si Italia thotë a mund të na jepni një dorë”.
Sipas tij, ajo çka ekonomia lokale do të përfitojë nga kjo marrëveshje, janë burimet ekonomike të zonë. “Nuk e kemi bërë këtë kalkulim dhe është tmerrshme të shohësh sesi kjo marrëveshje është komentuar dhe deri tek dhënia e tenderave, ndërkohë që gjithçka menaxhohet nga pala italiane”, tha Rama.
“Ne këtë mundësi kemi dhe këtë mundësi mund ta shfrytëzojë vetëm Italia. Për 1000 e një arsye historike të së sotmes e të së nesërmes. Nuk ka këtu kalkulime. Kjo është një marrëveshje zemre dhe përgjegjësie në raport me një miqësi strategjike dhe me një komunitet të Europës”, u shpreh kryeministri Rama./ata