Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, u shpreh se arsimi në Shqipëri sot ka 5400 pedagogë dhe asistentë, nga 11000 që ishin në vitin 2013. Një rënie e numrit të pedagogëve dhe asistentëve që i atribuohet, sipas Berishës, politikave të ndjekura nga qeveria Rama.

Berisha po ashtu ngriti shqetësimin për autonominë lokale. Ai akuzoi qeverinë se ka shkelur Kushtetutën dhe Kartën Europiane të Autonomisë Lokale. “Si kurrë ndonjëherë në një vend tjetër, Edi Rama për të marrë ryshfetin, për të prerë 30 përqindëshin, firmos sot çdo leje ndërtimi në Shqipëri”.

“Vetëm 3 muaj më parë njoftoi se shkrihej Komiteti i Ujërave në Shqipëri, një autoritet rregullator i përbërë nga specialistë të fushës. Pra ky do të merret edhe me gjirizet, kanalizimet, ujësjellësit, se si e si të presë gjoba. Por në botë nuk ka një kryeministër që të jetë kryetar i ujërave të vendit”, tha Berisha.

“Së fundi, të dashur miq, ka sjellë dhe ligjin e fundit për ti dhënë goditjen vdekësore universiteteve të vendit, ka sjellë ligjin me të cilin shpall veten kryetar i Këshillit Kombëtar Shkencor të Republikës”, u shpreh Berisha.

“Me këtë vendim ai i ka dhënë një goditje fatale universiteteve të vendit, për të cilët liria akademike, nënkupton lirinë e kërkimit shkencor. Është jetike, sa është ajri për zogjtë që fluturojnë”, tha Berisha më tej.

Në fund Berisha u shpreh se kjo qeveri duhet ndalur. “Duhet ta ndalim, është radha jonë. Çdo ditë që kalon duhet të jemi në betejë”, përfundoi ai./ata