Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i dërgoi paralajmërim të ashpër grupit libanez Hezbollah, duke theksuar se ushtria izraelite është e përgatitur për "një veprim jashtëzakonisht të fuqishëm" kundër Libanit.

Netanyahu e bëri deklaratën gjatë vizitës së tij në vendbanimin verior Kiryat Shmona, i cili ishte dëshmitar i sulmeve nga grupi Hezbollah në ditët e fundit. "Ne jemi të përgatitur për një aksion jashtëzakonisht të fuqishëm në veri", shkroi Netanyahu në llogarinë e tij në X së bashku me një videomesazh të marrë gjatë turneut të tij në veri pranë kufijve me Libanin.

Netanyahu u takua me komandën e Brigadës 769 të ushtrisë izraelite për të diskutuar situatën operacionale përgjatë zonave kufitare libanezo-izraelite. Radioja e Ushtrisë Izraelite tha se qeveria izraelite miratoi thirrjen e 50 mijë ushtarëve të tjerë rezervistë në përgatitje për përshkallëzimin e mundshëm në frontin e Libanit.

Radioja tha se qeveria miratoi rristjen e numrit të ushtarëve rezervistë aktivë nga 300 mijë në 350 mijë në përgatitje për një luftim të mundshëm në veri me Libanin.

Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi dje tha se Izraeli është afër marrjes së një vendimi në lidhje me sulmet e përditshme të Hezbollahut në veri të Izraelit, duke theksuar gatishmërinë e ushtrisë për një vendim të tillë.

Tensioni është ndezur përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit mes shkëmbimeve të shpeshta të zjarrit midis forcave izraelite dhe Hezbollahut, në përleshjet më vdekjeprurëse që kur të dy palët luftuan një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.

Tensioni kufitar vjen në mes të një ofensive ushtarake izraelite në Rripin e Gazës ku janë vrarë mbi 36.500 palestinezë që nga sulmi ndërkufitar i grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar./aa