Një histori shprese vjen nga Greqia në zi për aksidentin e trenit të ndodhur mbrëmjen e së martës pranë Larisës, i cili, sipas bilancit të fundit, ka shkaktuar 57 viktima. Bëhet fjalë për një notar 20-vjeçar, i cili studion në Selanik dhe që ndodhej në vagonin e dytë të trenit të pasagjerëve të përfshirë në përplasje, Andreas Alikaniotis

 

Pas përplasjes, studenti në vend që të largohej nga flakët ka qëndruar në tren, ka thyer me duar xhamat e dritareve dhe ka ndihmuar njerëzit të dalin.

 

 

“Ai shpëtoi të paktën dhjetë prej tyre”, tha një mjek në spitalin e Larisës, i cili ka treguar në Facebook historinë e djaloshit, duke e konsideruar një engjëll në tokë.

 

“Ai është një hero sepse, pavarësisht se ka rrezikuar jetën e tij, nuk e ka braktisur vagonin me gjithë zjarrin e madh që shpërtheu pranë tij, ka arritur të thyejë xhamin e dritareve dhe të shpëtojë të paktën dhjetë fëmijë, djem dhe vajza. Në këtë ditë të zezë, Andreas na tregoi se brezi i ri i grekëve ka dashamirësi, parime dhe etikë! Urime ty Andreas dhe prindërve që të rritën!”, shkruan mjeku Tziastoudis.