SHBA-ja ka miratuar një shitje të re armësh në Tajvan me një total prej 300 milionë dollarësh, duke shënuar shitjen e 14-të të armëve në Taipei nga Washingtoni që kur presidenti Joe Biden mori detyrën në vitin 2021.
Sipas Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes së SHBA-së, shitjet përfshijnë pjesë rezervë dhe pjesë riparimi të avionëve F-16 për një kosto të vlerësuar prej 220 milionë dollarësh.
Duke theksuar se shitja do të "përmirësojë aftësinë e marrësit për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme", agjencia amerikane tha se "shitja e propozuar e kësaj pajisje dhe mbështetje nuk do të ndryshojë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon".
Shitja u miratua me kërkesë të Zyrës së Përfaqësimit Ekonomik dhe Kulturor të Taipeit në SHBA. Ajo përfshin shërbime të mbështetjes inxhinierike, teknike dhe logjistike të qeverisë dhe kontraktorëve të SHBA-së dhe elementë të tjerë të lidhur të logjistikës dhe mbështetjes së programit.
"Shitja e propozuar do të ndihmojë në përmirësimin e sigurisë së marrësit dhe në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak dhe përparimit ekonomik në rajon", theksoi agjencia.
Agjencia amerikane do të shesë gjithashtu pjesë rezervë dhe riparimi "jo standarde" dhe pajisje të ngjashme për avionët F-16 me vlerë prej 80 milionë dollarë.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se shitjet "do të ndihmojnë në ruajtjen e aftësive luftarake të Tajvanit".
Ajo kërkoi nga Kina të ndërpresë "të gjitha veprimet irracionale" kundër Tajvanit, duke shtuar se stabiliteti në ngushticën e Tajvanit "kërkon përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve".
Ndërkohë, ministria tha se sot zbuloi një avion kinez dhe tetë anije detare kineze që operonin rreth Tajvanit./aa