Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se PS do të fitojë sërish zgjedhjet në 2025-ën, madje me rezultate edhe më të thella se sa në 2021-shin.
Duke iu përgjigjur deputetit të PD-së, Agron Gjekmarkaj, i cili në fjalën e tij në Kuvend ngriti pikëpyetje se kush ishte Partia Socialiste dhe kush e drejtonte qeverinë, pas një reportazhi të publikuar në median italiane RAI 3, Manja tha se PS është një aset kombëtar.
“Ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë që është aset kombëtar dhe do të jetë partia e shqiptarëve edhe për shumë kohë, që qeveris Shqipërinë me votat e shqiptarëve, e 10 milionë turistëve që vizituan vendin për vitin 2023, dhe që e kemi kthyer Shqipërinë në destinacionin turistik botëror, që kemi ndezur shpresat e shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në 2030, që ju presim në tapetin elektoral në vitin 2025, ju dhe këdo beson te veta e lirë“, u përgjigj Manja.
Ai theksoi se Rama është kryeministër legjitim i vendit dhe se është i zgjedhur me votë të lirë.
“Kush e qeveris vendin? Shqipërinë e qeveris PS, me kryeministër legjitim Edi Ramën, i zgjedhur me votë të lirë për 3 mandate, dhe qetësisht në mënyrë demokratike ju presim pranverën që vjen në zgjedhje. Jeni në të drejtën legjitime të mblidhni llumin e thashethemeve dhe ta sillni në Kuvend”, u shpreh ai.
Manja theksoi se arsyeja se pse PD nuk vjen dot në pushtet është sepse ajo asnjëherë nuk e kërkon te vetja përgjegjësinë.
“Pse nuk ju vijnë pas shqiptarët. Asnjëherë se keni kthyer nga vetja. Keni mbetur një grusht këtu e 300 atje. Partia Socialiste e Shqipërisë është partia e 850 zemrave shqiptare dhe e shqiptarëve edhe në 2025-ën, ku ne do t’u mundim më thellë se sa në 2021”, tha Manja./ata