Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste konfirmoi sot se “në listën e kandidatëve të Asamblesë së re Kombëtare që do të votohet sot nuk ka asnjë drejtor”.

Gjatë punimeve të Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama theksoi se kjo masë duhet të kuptohet vetëm si pjesë e një fillimi të ri në rrugën e ndërtimit të Partisë Socialiste të 2030-ës.

Kryeministri vlerësoi po ashtu punën e mirë që është bërë me procesin ripërtëritës së Partisë Socialiste.

“Fushata e anëtarësimeve, e cila do të rifillojë në shtator dhe do të vazhdojë deri të premten e fundit përpara breshërit të madh për ata që presin të dalë dielli në zgjedhjet e ardhshme, ka prodhuar fakte shumë pozitive. Jo thjesht në aspektin e numrit të anëtarësisë së regjistruar dhe të verifikuar, duke pastruar shumë nga emrat e mbetur në databazë për arsye të ndryshme dhe ka prekur tavanin e 100 mijë anëtarëve, por mbi të gjitha për provën e prekshme të gatishmërisë së njerëzve për t’u bashkuar me PS-në”, shtoi Rama.

“Unëkam pasur besim gjithmonë tek nuhatja politike e shqiptarëve, të cilët u japin ujin në bisht të lugës të gjithë atyre komentatorëve të lodhur politikë të kanaleve të portaleve. Prandaj, dhe këta të shkretët që u plakën me laps këtu në vesh, si llogaritarë të gabuar, duke luftuar ekraneve me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, janë të dënuar të zhgënjehen sa herë numërohen votat. Do të bëhen pastaj qesharakë duke folur për vjedhje, për blerje votash dhe nuk kanë faj në fakt, se atë që të bën Partia Socialiste nuk ka as tërmet e as breshër që ta bën kur i del përballë”, tha ai.

Rama theksoi se kjo nuk është masë e vendosur në Kryesi për të ndëshkuar ndonjërin, por u është dhënë mundësia tëjenë ose drejtor ose anëtar të Asamblesë Kombëtare.

“Këtu në parti projektohet dhe pastaj, përmes forcës së kësaj partie, realizohet fitorja që na jep mundësinë të çojmë përpara të gjithë programet qeverisëse”, theksoi kryeministri./ata