Pamjet ajrore të kapura së fundmi zbulojnë shkallën e shkatërrimit masiv të lënë pas nga operacionet ushtarake izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës veriore.
Jabalia tani është e gjitha në rrënoja pasi ushtria izraelite u tërhoq plotësisht nga kampi i refugjatëve dhe rrethinat e tij, duke i dhënë fund një operacioni tokësor 20-ditor.
Forcat izraelite u tërhoqën nga Rripi i Gazës veriore më 31 maj duke lënë pas shkatërrime masive të shtëpive dhe infrastrukturës, si dhe djegie të dhjetëra ndërtesave të banimit në Jabalia.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 36.500 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, si dhe rreth 83 mijë të tjerë janë plagosur.
Pothuajse tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer nën rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e fundit të saj ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milionë palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta para se të pushtohej më 6 maj./aa