Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot në Kuvend se lidhja me Korridorin 8 dhe lidhja përmes Kosovës me Korridorin 10, e bëjnë Shqipërinë pjesë të rrjeteve europiane të transportit hekurudhor.

Gjatë prezantimit në Kuvend të marrëveshjes për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, Balluku u ndal te projektet strategjike të qeverisë për ndërtimin e sistemit hekurudhor të vendit.

Sipas saj, “qeveria shqiptare është fokusuar me prioritet maksimal në ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe efikase që do të lehtësojë ndërlidhjen e qytetarëve vendas dhe të huaj në çdo cep të vendit, si dhe do të rrisë parametrat e sigurisë”.

“Infrastruktura hekurudhore vlerësohet si element thelbësor i kësaj infrastrukture moderne që tashmë ka nisur dhe po shtrihet në gjithë vendin. Transporti hekurudhor është një nga mënyrat e transportit alternativ miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarëve, di dhe një nga mjetet e transportit që vetë BE e promovon”, tha Balluku.

Balluku nënvizoi se Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji të zhvillimit të rrjetit hekurudhor dhe mbështetja e fondeve të BE-së është vlerësuar shumë e rëndësishme për këto zhvillime.

“Tashmë ne kemi një strategji të mirëstudiuar që ka nisur të vendoset në jetë, siç është në rastin e rehabilitimit të linjës Tiranë-Durrës, si dhe ndërtimin e një linje të re që lidh Tiranën me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit dhe me portin e ri të Durrësit. Kjo krijon një trase totalisht të re që ndërlidh pikat kryesore, kryeqytetin, portin dhe aeroportin”, tha Balluku.

Ajo u ndal te një tjetër projekt, rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, pjesa e parë e Korridorit 8, ndërsa shtoi se linjat e tjera kanë kryesisht synim lidhjen e Shqipërisë me dy pikat kufitare të daljes.

Balluku theksoi se Korridori 8, krijon akses për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, si dhe me Greqinë fqinje.

“Duhet pasur parasysh se linjat e Korridorit 8 duhet të jenë jo vetëm linja tregtare, por do të ofrojnë edhe sigurinë ushtarake për Shqipërinë dhe gjithë aleatët tanë të NATO-s. BE ka akorduar një grant prej 62 milionë euro për këtë projekt dhe presim që brenda këtij viti të fillojë negocimi për marrëveshjen e financimit”, theksoi zv/kryeministrja.

Ndërkohë, Balluku bëri të ditur se vijimi i projektit të Korridorit 8 përmes linjës Pogradec-Rrogozhinë synon që të na ndërlidhë edhe me vendet e tjera të rajonit.

Zv/kryeministrja solli po ashtu në vëmendje një tjetër projekt shumë të rëndësishëm kombëtar, atë të hekurudhës Durrës-Prishtinë.

“Parashikohet që kjo linjë të kalojë nga Gjakova, duke krijuar kështu një tjetër korridor transporti dhe duke i dhënë mundësi shqiptarëve të Kosovës që të aksesojnë portin e Durrësit dhe gjithë Ultësirën Perëndimore të vendit”, tha Balluku.

Ajo nënvizoi se paralelisht me investimet në infrastrukturë po punohet për modernizimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet e BE-së, si dhe rritjen e kapitalit njerëzor. “Sistemi ynë duhet të jetë në përputhshmëri të plotë edhe me sistemet hekurudhore të rrjeteve europiane”, tha ajo./ata