Kuvendi miratoi sot me 73 vota pro dhe 7 kundër projektvendimin “Për përbërjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.

Sipas projektvendimit të miratuar sot në Kuvend, komisioni do të kryesohet nga deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj dhe do të ketë në përbërje 11 anëtarë, ndërkohë që zëvendëskryetari do të propozohet nga opozita.

Po ashtu me 73 vota pro dhe 7 kundër, Kuvendi miratoi edhe projektvendimin “Për përbërjen e Komisionit të Posaçëm të Kuvendit “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë dhe do të kryesohet nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, ndërsa zëvendëskryetari do të propozohet nga opozita.

Në seancën e sotme, Kuvendi miratoi me 73 vota pro edhe raportin vjetor të veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2023.

Me 91 vota pro u miratua projektligji “Për financimin e detyrimit të prapambetur të pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik Poliçan”.

Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 15 kundër edhe disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për gjendjen civile””, të ndryshuar.

Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin për zhvillim dhe statusin e Zyrës së Koordinimit të Programeve të TIKA-s në Shqipëri” u miratua me 88 vota pro.

Po ashtu me 91 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.

Me 87 vota pro u miratua po ashtu edhe projektligji “Për miratimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës për ndryshimin e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës dhe të rekomandimit të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale Pan-EuroMediteriane të Origjinës, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, të 2 datës 7 dhjetor 2023”.

Kuvendi miratoi me 82 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim një ndryshim në ligjin “Për miratimin me ndryshime të dekretit “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit) dhe dekretit “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995””, të ndryshuar.

Një tjetër projektligj i rëndësishëm i miratuar në seancën e sotme me 86 vota pro dhe 1 abstenim ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”./ata