Në asamblenë e përgjithshme të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN), ku ATSH është anëtare ne të drejta të plota, presidenti i rajonit të Siçilisë, Renato Schifani deklaroi se është i bindur se ”vetëm me një politikë dypalëshe me vendet që na rrethojnë mund të gjendet një zgjidhje për migrantët, ashtu siç po bën Meloni”.

”Për këtë sistem jam gjithmonë i bindur se vetëm me një politikë dypalëshe me vendet që na rrethojnë mund të gjendet një zgjidhje për migrantët, ashtu siç po bën Meloni. Është një temë delikate dhe një temë që lind nga një situatë jo e qëndrueshme dhe që do të duhet ende pak kohë derisa ai kontinent (Afrika – shën. i përkth.) të stabilizohet”, deklaroi Schifani duke iu referuar marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e migrantëve.

”Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkoi të vinte dhe të vizitonte Lampeduzën, rreth një vit më parë. Ajo kuptoi situatën në atë ishull, ndërkohë që kuptoi gjithashtu edhe përpjekjet dhe angazhimet që qeveria kombëtare dhe qeveria  rajonale po bëjnë për të përmbushur pjesën e tyre në momentet e emergjencave të mëdha”, tha mes të tjerash Schifani.

”Ne e kemi parë veten në situata që duhej të strehonim edhe 4 000 njerëz brenda një nate, të cilët zbritën në këtë ishull pa këpucë apo batanije duke i dhënë kështu edhe një mbështetje të madhe qeverisë kombëtare”, shtoi ai.

”Nuk pushoj kurrë së kujtuari këtë veprim tonin që bëri të mundur shmangien dyndjes së mijëra njerëzve në atë ishull”, tha Schifani.

”Megjithatë, jam i bindur se vetëm me një politikë dypalëshe me vendet që na rrethojnë mund të gjendet një zgjidhje për migrantët, ashtu siç po bën Meloni”, theksoi presidenti i rajonit të Siçilisë, Renato Schifani në asamblenë e përgjithshme të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN)./ata