2 vite e gjysmë pas Lulzim Basha më 9 shtator 2021 e përjashtoi si një ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion dhe minim të demokracisë, Sali Berisha rikthehet në grupin parlamentar të Partisë Demokratike me firmë të Gazment Bardhit.  

Në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Bardhi i cili mban dhe postin e nënkryetarit të demokratëve të Rithemelimit, përmes një shkrese të dërguar kryeparlamentares Nikolla e njofton atë se me një vendim të 3 prillit janë revokuar të gjitha vendimet për masa disiplinore në grup gjatë gjithë kësaj legjislature.

 “Për këtë arsye të gjithë deputetët që janë vetëdeklaruar në nisje të kësaj legjislature në përbërje të Grupit Parlamentar rikthehen/konsiderohen anëtarë të grupit parlamentar duke filluar nga data 3 prill 2024”

 

Pra në grupin parlamentar përveç Berishës rikthehen edhe të përjashtuarit e tjerë Tritan Shehu; Flamur Noka; Albana Vokshi; Oerd Bylykbashi; Luan Baçi  dhe Edmond Spaho.

Bardhi i kërkon Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, që këto ndryshime t’i pasqyrojë në organet e Kuvendit.

Në një reagim për mediat, pasi Nikolla lexoi shkresën e Bardhit në seancë, Enkelejd Alibeaj lajmin për rikthim të Berishës në grupin, ku zyrtarisht bën pjesë edhe ai me Bashën, e quajti një Pazar të hidhur. Duke cituar edhe raportin e fundit të Freedom House Alibeaj tha se kjo tregon se çfarë raporti do të ketë politika me personat që minojnë demokracinë.

Edhe Basha bën fajtor edhe Partinë Socialiste për këtë vendimmarrje.

 “Rama kërkon të kthejë në PD aleatin e tij Berisha. Kjo është rruga e vetme e mbijetesës së klasës së vjetër politike, nëpërmjet pazarit për të shtrënguar radhët e të korruptuarve. Vendimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë është i qartë dhe i prerë.  Asnjë ortakëri e lidhur nga krimi dhe korrupsioni nuk mund ta zhbëjë atë.  Asnjë person i përcaktuar "Non grata" nuk do të jetë pjesë e PD:”

Deputetët e tjerë të Partisë Demokratike u përjashtuan nga Lulzim Basha, atëherë kishte në krah të djathtë Gazment Bardhin, pas sulmit të dhunshëm në që Rithemelimi bëri në selinë e PD më 8 janar 2022.

Deputetët e përjashtuar që rikthehen

Sali Berisha

Tritan Shehu

Flamur Noka

Albana Vokshi

Oerd Bylykbashi

Luan Baçi

 

Edmond Spaho