Kriza e çmimeve duket se po kalon për bizneset, por ende jo për qytetarët. Të dhënat që ofron INSTAT flasin për një fillim viti që ka shënuar rikthimin e indeksit të çmimeve të importit në nivelet më të ulëta në dy vite, saktësisht në 108.1%.
Shenja të forta ngadalësimi po shfaqin edhe kostot e prodhimit vendas. Pedagogu i ekonomisë, Igli Tola e lexon këtë situatë si një stabilizim dhe jo rënie e çmimeve të produkteve në rafte.
“Fakti që cmimet po shkojnë drejt një ankorimi pavarësisht se janë në rritje, janë diçka e pritshme se po hyjmë ngadalë në vitin e dytë të kësaj krize të energjisë dhe lëndës së parë. Po shënojmë trende të forcimit të lekut dhe dobësimin e monedhës europiane. Por pavarësisht dobësimit importet janë gjithnjë e më të shtrenjta. Tër kosto dhe situata makro ndikojnë në këto shifra,” shprehet Igli Tola, pedagog, ekspert ekonomie.
Në këtë situatë të pritur prej vitesh, të dhënat tregojnë se janë pikërisht kategoritë e industrisë përpunuese ato të cilat kanë ndikuar më shumë.
Brenda këtij grupi janë ushqimet e pijet të cilat mbajnë përqindjen më të lartë të rritjes së cmimeve.
Përballë produkteve të importuara, ato të prodhuara në vend ende janë të shtrenjta. Treguesi i cili mat cmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të prodhimit, arriti në harkun kohor janar-mars 129.5%.
Kur ky grup zë gati gjysmën e shpenzimeve familjare, situata ndihet akoma e rënduar.
“Ato sektorë të cilët përbëjnë konsumin e përditshëm dhe furnizojnë tregjet, ato ndikohen drejtpërsëdrejti që ndikohen nga situata inflacioniste dhe reflektohen në çmimet e konsumatorit final.”
Janë prodhimi i produkteve të duhanit, përpunimi produkteve ushqimore por dhe prodhimi i pijeve kategoritë në industrinë përpunuese që po e mbajnë në nivel të lartë indeksin e cmimeve të prodhimit./Tema