Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, dy tregues të rëndësishëm si Indeksi i Çmimit të Prodhimit dhe Indeksi i Çmimit të Importit janë luhatur në drejtime të kundërta. Shifrat tregojnë se subjektet prodhuese vazhdimisht po përballen me një shtrenjtim të kostos së prodhimit të mallrave. Konkretisht, në tremujorin e parë të vitit aktual, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 2.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa Indeksi i Çmimeve të Importit shënoi ulje me 1.9%.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi varion rritja dhe cilët janë zërat që e shkaktojnë atë në drejtim të çmimeve të prodhimit. Krahasimisht me tremujorin e parë të vitit 2023, shifrat tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 7.2%, pasuar nga seksioni “Industri nxjerrëse” me 3.9 %. Ndërkohë, zërat “Përpunimi i tekstileve” apo ‘’Prodhimi i pajisjeve elektrike” u rritën nga 1.6% në 2.2%.
Kjo rritje është reflektuar jo vetëm në produktet që tregtohen brenda vendit, por edhe jashtë tij. Përsa i përket këtij indeksi për produktet të cilat ofrohen në tregun vendas themi se rritja vjetore ka qenë 3.5% dhe rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 10.5%, “Industria Nxjerrëse” me 3.8% dhe “Industria Përpunuese” me 1.2%.
Nga ana tjetër, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport shënoi një rritje vjetore prej 0.5%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 4%, pasuar nga seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 3.9%.
Ashtu siç u përmend më lart, një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe Indeksi i Çmimit të Importit. Sipas të dhënave të INSTAT, ky tregues, në tremujorin e parë të vitit 2024, arriti 108.1 kundrejt vitit 2021 si periudha bazë. Krahasuar me tremujorin e parë 2023, indeksi i çmimeve të importit shënoi një ulje me 1.9%. Nëse analizojmë në terma vjetorë zërat që kanë kontribuar në uljen e këtij treguesi vëmë re se çmimet e importit të produkteve në seksionin “Industri nxjerrëse” shënuan uljen më të lartë prej 2.9%, pasuar nga seksioni “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” me 2.5%.
Gjithashtu, çmimet në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më të madhe prej 93.5% shënuan një ulje prej 1.8%. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara”./Tema