Fotoreporteri i Anadolus, Ali Jadallah, fitoi të enjten çmimin e "Fotografisë më të Mirë të Vitit" të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve me një foto të bërë në Gaza tetorin e kaluar.

Agjencitë e lajmeve anëtare të Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të 32-të në Pallatin Orleans në Palermo, të organizuar nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Jadallah fitoi çmimin kryesor me fotografinë e tij, e cila u shkrep më 23 tetor 2023, në Gaza, 17 ditë pas fillimit të sulmeve izraelite, të cilat në muajt që pasuan kanë marrë mbi 36.000 jetë.

Në asamblenë e përgjithshme mori pjesë Kryetari dhe Drejtori i Përgjithshëm i Anadolus Serdar Karagöz, i cili mori çmimin në emër të Jadallahut.

Karagöz falënderoi Asamblenë e Përgjithshme të AMAN-it, duke thënë se ata kishin thirrur mbrapa disa nga gazetarët e tyre nga Gaza, por që Jadallah kishte shprehur dëshirë të qëndronte.

"Kur e pyetëm Aliun edhe sa ditë dëshiron të qëndrosh, ai tha: ‘Përgjithmonë. Unë nuk do të largohem nga Gaza. Kjo është detyra ime’. Cila është detyra e tij? Ai po mbledh prova. Për çfarë kanë të bëjnë provat? Dëshmi të krimeve të luftës në Gaza", tha Karagöz.

"Ne botuam këtë libër (Dëshmia), dhe këtu do të gjeni prova sipas ligjit ndërkombëtar. Ky është një libër objektiv, jo subjektiv. Besojmë se herët a vonë drejtësia do të vihet në vend. Si gazetarë, ne do të vazhdojmë të mbledhim prova", shtoi ai.

Karagöz i dha gjithashtu një kopje të librit, i cili përfshin foton e shpërblyer të Jadallahut, Najeh Missaouit, menaxherit të përgjithshëm të Agjencisë Tuniziane të Lajmeve (TAP).

Duke thënë se është në detyrë në Gaza dhe kështu nuk mund të merrte pjesë në këtë ngjarje, Jadallah tha në një video-mesazh drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të AMAN-it: "Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Aleancën e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve që më vlerësoi të denjë për këtë çmim me vlerë. Ky vlerësim ka një rëndësi të madhe për mua. Unë kam raportuar me përpikëri zhvillimet në Gaza për Anadolu për më shumë se tetë muaj në kushte të vështira".

- Karagöz do t’ia dorëzojë çmimin familjes së Jadallahut

Duke folur për korrespondentin e Anadolus, Karagöz tha se AMAN-i është një nga lidhjet më të rëndësishme të agjencive të lajmeve në botë.

"Fotoreporteri ynë i Anadolus, Ali Jadallah, u vlerësua gjithashtu i denjë për një çmim në asamblenë e përgjithshme. Jadallah mori çmimin ‘Fotografia më e Mirë e Vitit’. Ai nuk mundi të merrte pjesë në takim sepse po e vazhdon punën në Gaza. Si drejtor i përgjithshëm, unë e mora çmimin në emër të tij dhe do t’ia dorëzoj familjes së Aliut", tha Karagöz.

Karagöz shtoi se ekipi i Anadolus në Gaza punon ditë e natë, pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, dhe deri më tani kanë humbur një nga kolegët e tyre.

"Jadallah është një nga heronjtë tanë. Ne humbëm një mikun tonë, Montaser Al-Sawaf. Unë lutem për mëshirën e Zotit. Me 25 kolegët tanë, Anadolu vazhdon t’i tregojë botës të vërtetën nga Gaza. Natyrisht, Ali Jadallah mbledh prova për krimet e luftës të kryera atje, ai është një hero", tha ai.

"Kur e ftuam Aliun në Türkiye, ai donte të qëndronte në Gaza dhe të vazhdonte punën e tij deri në fund. Ne besojmë se puna e Jadallahut do të përdoret si provë herët a vonë kur drejtësia të vihet në vend. Anadolu do të vazhdojë të mbledhë prova për krimet e luftës në Gaza. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë zërin e Gazës të dëgjohet në të gjitha platformat anembanë botës. Sot e kemi përmbushur këtë detyrë me sukses", shtoi ai.

Në asamblenë e përgjithshme po ashtu u prezantua uebsajti i ri i AMAN-it, dizajni i të cilit u ndërmor nga Anadolu.

Si pjesë e Asamblesë së Përgjithshme të 32-të të AMAN-it, të mërkurën u mbajt edhe një konferencë për energjinë dhe turizmin për rritje të qëndrueshme në Mesdhe./aa