Spitali i Dëshmorëve Al-Aksa, i cili i shërben qytetit Deyr al-Belah në Rripin e Gazës, njoftoi se janë sjellë në spital trupat e 54 palestinezëve që humbën jetën dhe dhjetëra të plagosurve në sulmet ajrore izraelite në rajon në 24 orët e fundit.
Zëdhënësi i Spitalit të Dëshmorëve Al-Aksa, doktor Khalil ed-Dekran, në deklaratën e tij për Anadolu tha se "54 dëshmorë dhe dhjetëra të plagosur u sollën në spital si pasojë e sulmeve ajrore të Izraelit në pjesën qendrore të Gazës në 24 orët e fundit".
Duke thënë se ushtria izraelite vazhdon sulmet në rajon, Dekran tha se kapaciteti i spitalit, i cili shërben me ambiente të kufizuara, është tendosur për shkak të rritjes së numrit të viktimave dhe të plagosurve të shkaktuar nga sulmet e vazhdueshme intensive.
Ai thekson se po ballafaqohen me mungesë të mjeteve mjekësore dhe karburanteve në spital për shkak të bllokadës së vendosur në Rripin e Gazës. Dekran paralajmëroi se nëse Spitali i Dëshmorëve Al-Aksa mbetet jashtë funksionit, në rajon do të ndodhë një fatkeqësi e vërtetë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, u vranë 36.654 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra ndërsa 83.309 të tjerë u plagosën.
Ndërsa raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa