Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka pritur në takim në Tiranë ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, ministri Vengu ka theksuar se me ministrin Maqedonci, biseduan për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, por edhe të arsimit ushtarak.

"E kaluara dhe historia jonë e përbashkët na udhëheqin në rrugëtimin drejt vlerave demokratike dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Kosova mbetet prioritet strategjik kombëtar i Shqipërisë dhe është në qendër të politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë. Ndaj, ne jemi të angazhuar për përfshirjen e Kosovës në strukturat ndërkombëtare të sigurisë", ka shkruar Vengu.

Vengu është shprehur më tej se Shqipëria mbështet gjithashtu aspiratat e Kosovës për integrim në familjen euro-atlantike.

Ministri Vengu ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë edhe më intensiv në fushën e mbrojtjes.

"Do të rrisim numrin e mundësive për studentët dhe oficerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës në institucionet tona të edukimit ushtarak, si dhe do të mbështesim zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta, përfshirë edhe në fushën e emergjencave civile", është shprehur Vengu./aa